Ndërsa të dhënat më të fundit për përhapjen e infeksioneve nga koronavirusi në Itali tregojnë për të tretën ditë radhazi një ngadalësim të rritjes së numrit të infeksioneve, rreth 7% më ulët se një ditë më parë dhe teksa ka nisur të shfaqet një dritë e vogël shprese, tuneli i pandemisë vazhdon të mbushet me viktima. Gjithsesi shifrat në rendin zbritës janë reflektim i masave fillestare të marra në situatën e emergjencës shëndetësore dhe pritet që në ditët e ardhshme, të cilat përkojnë me rezultatet e pritshme pas masave radikale qeveritare, kurba e infeksioneve të vazhdojë trendin në ulje.
Qeveria italiane e kryeministrit Giuseppe Conte ka shpallur një tjetër dekret me masa shtesë në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë, masa të cilat parashikojnë rregulla shtesë dhe masa administrative për shkelësit e ligjit të emergjencës shëndetësore, ndër të tjera gjobitje prej 400 deri në 3000 euro për ata që anashkalojnë masat për të penguar përhapjen e Covid-19 si dhe dënim maksimal prej 5 vjetësh për ata që dalin nga karantina.
Gjoba deri në 3000 € do të zbatohet për ata që nuk respektojnë rregullat e reja të trafikut dhe ato të kontrollit, pezullim deri 30 ditë të liçencës për aktivitetet tregtare që gjenden në shkelje të ligjit dhe mundësi për administratorët e rajoneve për të nxjerrë urdhëra dhe masa të tjera kufizuese me kusht që ato pas 7 ditësh të të aprovohen edhe nga ekzekutivi qendrorë si i vetmi autoritet që mund të aprovojë në mënyrë definitive ndalimin përkohësisht të lirive kushtetuese.
Masat e reja synojnë të detyrojnë qytetarët përmes sanksioneve monetare të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi.
Ligji parashikon që – pas skadimit të ndalimeve të qarkullimit dhe mbylljes së shkollave, bareve, restoranteve, parqeve dhe të gjitha aktiviteteve të tjera që janë ndalur, mund të ketë edhe kufizime të reja për pjesë specifike të territorit kombëtar dhe që do të kenë kohëzghatje 30 ditore por që edhe mund të zgjaten apo midifikohen në varësi të prirjes epidemiologjike të koronaviruait.
Dekreti saktëson gjithashtu rolin e forcave ushtarake në rrugë me detyrën e sigurisë publike.