“Koronavirusi nuk ka lindur në laborator. Mos të bëjmë fantazi me bioterrorizëm”. Kështu deklaroi presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë në Itali, Franco Locatelli.
“Kemi të dhëna të qarta se nuk ka pasur mundësi të gjenerohet në laborator virusi Sars-Cov2. Hipotezat e ndryshme nuk kanë asnjë përmbajtje shkencore”, tha Locatelli.
Pak ditë më parë, qarkulloi në internet kronika e një programi televiziv italian, ku hidheshin dyshime se virusi ishte krijuar në laborator nga studiues kinezë, hipotezë që ngjalli shumë debate e polemika.