Numri i të prekurve të konfirmuar nga koronavirusi i ri në botë i ka kaluar 600 mijë njerëz me të dhënat e fundit që tregojnë se janë 614,051 të infektuar.

Ndërkohë janë 28,234 të vdekur në glob deri më tani. Vendin e parë të kësaj kronike të zezë e mban Italia me 9,134 viktima e cila dje shënoi ditën më tronditëse me 969 të vdekur, e më pas renditen Spanja – me 5,690 të vdekur (552 të shtuar sot), Kina – me 3295 të vdekur, Irani – me 2517 viktima, Franca – me 1995 viktima, SHBA – me 1704 të vdekur.

Renditja ndryshon për sa i përket numri të të infektuarve që tashmë e udhëheq SHBA, me 104,256 të infektuar të konfirmuar, më pas vjen Italia me 86,498 të infektuar, Kina që ka mbetur në shifrën 81,394 viktima pasi e vuri nën kontroll sëmundjen, Spanja e cila është në një situatë aktuale shumë të vështirë me 72,248 të infektuar nga të cilët 6529 sapo i janë shtuar bilancit, Gjermania me 53,340 të infektuar por vetëm 395 të vdekur (zyrtarët gjermanë thonë se diferenca kaq e madhe e përqindjes së numrit të vdekjeve në vendin e tyre krahasuar me fqinjët, mund të jetë për shkak se ata bëjnë shumë testime dhe numri më i madh i të prekurve janë të rinj).

Pas Gjermanisë vjen Irani, i cili regjistron më shumë se 3 mijë raste të reja infektimi në ditë dhe aktualisht e ka numrin e përgjithshëm në 35,408 të prekur. Franca ka 32,964 të infektuar, me Presidentin Emmanuel Macron që ka bërë thirrje për solidaritet europian sepse tani është koha kur duhet më shumë se kurrë.

Mbretëria e Bashkuar, ku infeksioni ka nisur të shpërthejë pak më vonë se vendet e tjera europianë dhe masat e izolimit janë marrë pak me vonese, tashmë ka shënuar me shpejtësi 14,543 të infektuar me 759 të vdekur. Ndër të infektuarit në këtë vend janë edhe tre figurat kryesore në luftën kundër Covid-19: Kryeministri Boris Johnson, Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock dhe Shefi i Mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Prof. Chris Whitty.

Edhe në Austri situata nuk është e favorshme me 7,712 të infektuar dhe 68 të vdekur. Në Turqi janë 5,698 të infektuar dhe 92 të vdekur, me vendin që sot ndaloi edhe të gjitha fluturimet si masë për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Koronavirusi i ri ka prek 199 vende dhe territore në të gjithë botën dhe 2 lundruese ndërkombëtare: anija e lundrimit “Diamond Princess”, e cila ndodhet në Yokohama, Japoni dhe anije lundrimi “MS Zaandam” të Amerikës në Holandë.

Në botë janë mbi 138 mijë të shëruar nga sëmundja, më shumë se gjysma e të cilëve në Kinë, ku masat e rrepta kufizuese kanë ndikuar në vënien nën kontroll të sëmundjes. Shkencëtarët dhe ekipet mjekësore në të gjithë botën kanë nisur testimet për ilaçe eksperimenale që mund të ndihmojnë në luftën kundër Covid-19, për të cilën nuk ka asnjë afat të saktë se deri kur mund të zgjasë, me parashikimet nga dhjetë javë deri në disa muaj, ose edhe kthim sezonal të virusit, më fort se më parë. Kanë nisur eksperimentet edhe për vaksinën ndaj koronavirusit të ri, me rezultatet që shpresohet të merren pas nga 6-18 muajsh.