Profesor Roberto Ronchetti, ish kryetar i Klinikës Pediatrike të Universitetit “La Sapienza” të Romës për vite me radhë në “Policlinico Umberto I” dhe më pas në Spitalin “S. Andrea” ka deklaruar se kjo epidemi mund të zgjasë rreth tre muaj.

“Kur merresha me bronkitin, pyeta disa virologë me famë botërore pse viruset në fillim të sezonit të dimrit bëhen më agresiv, por askush nuk e dinte atë dhe mendoj se askush nuk e di as sot”.

Kështu u shpreh pediatri i cili shtoi se, “duke parë epideminë kineze që zgjati rreth dy muaj dhe atë koreane që zgjati rreth 5 javë, mund të supozojmë se epidemitë që filluan më vonë dhe që janë ende në zhvillim e sipër do të kenë një kohëzgjatje të përgjithshme të ndërmjetme midis dy të përmendurave”.

Në Wuhan, qyteti kinez ku filloi gjithçka, rastet e para kanë ndodhur në dhjetor dhe duket se ata po dalin nga izolimi vetëm këto ditë.

“Këto masa ishin themelore sepse ato shërbyen për të zvogëluar numrin e rasteve të infektuara. Por epidemia gradualisht është ndalur sepse virusi pas një numri të caktuar javësh zvogëlon aftësinë e tij infektive. Virusi i frymëmarrjes mund të ndjekë një rrugë pak më të gjatë ose pak më të shkurtër, pak a shumë intensive.

Por duke parë atë që ndodhi në Azi mund të themi se ky koronavirus gjithashtu ka një lakim të ngjashëm me të tjerët, kështu që unë pres të njëjtën gjë në Itali. Duke marrë parasysh që virusi mbërriti në shkurt, mund të presim që ai të zgjasë edhe disa javë të tjera”.

Më tej ai shton se “Çdo zonë e Italisë mund të ketë periudha të ndryshme, çdo qendër difuzioni do të ketë zhvillimin e saj. Në përgjithësi, mund të parashikojmë se epidemia do të përfundojë brenda 4-5 javësh, dhe do të mbetet kryesisht e vendosur në pjesën veriore të vendit”.