Nga Skënder Minxhozi/
Duhet të kesh një hall shumë të madh, që të rrëzosh një kryeministër pas 50 ditësh në detyrë. Duhet që të ketë bërë tradhëti ndaj atdheut, të jetë kapur në flagrancë me ndonjë akt të përbindshëm korrupsioni apo një skandal tjetër të përmasave të mëdha.
Albin Kurti nuk konsumoi asnjërin nga këto krim, për t’u trajtuar ashtu siç e pamë të trajtohej. Në rastin më të keq, ai thjesht nuk kishte rekorde qeverisjeje. Nuk e largoje dot as për mirë, as për keq, pasi nuk pati kohë as tëndreqte, as të prishte punë. Nëse për rekord i merret pozicioni ndaj heqjes së taksës ndaj Serbisë, mund të thuhet se dënimi qe krejt i pajustifikueshëm. Dhe nëse, pas gjithë kësaj farse politike, hedh një sy e sheh sesi bota po mbyllet në shtëpi, ndërkohë që Kosova voton me maskë, bindesh se ka të drejtë gazeta amerikane “New York Times”, kur shkruan se diplomacia prej Ramboje e të dërguarve amerikanë ndëshkoi një kryeministër të sapozgjedhur.
Albin Kurti nuk pati kohë të tregojë që është një kryeministër për t’u shkarkuar, apo për t’u rizgjedhur. Ai ka me vete alibinë e fortë të të mos qenit i korruptuar, por me shkarkimin e fundit, ka gjithashtu alibinë që të mos ketë lënë pas bilance negative. Ah po, nuk hoqi taksën “me një fishkëllimë”, siç ju urdhërua dhe u përpoq të kishte rol udhëheqës, siç ishte në të drejtën e tij, në negociatat me Beogradin.
Ajo që ndodhi me qeverinë kosovare është një akt i tepërt dhe i panevojshëm dobësie të imponuar. Kosova e sotme ka nevojë të afirmojë kapacitetin e saj të brendshëm për të ndërtuar qeverisje solide dhe të pavarur, e jo të vijojë të tresë thërrimet e një vasaliteti ndërkombëtar, që e shoqëroi në hapat e parë pas shpalljes së pavarësisë. Amerikanët, themeluesit e shtetit të sotëm kosovar, s’kanë pse investohen për këtë lloj imazhi të shëmtuar, që Kosova përhapi nëpër në këtë kohë pandemie.
Kryeministri i saposhkarkuar Kurti deklaroi orët e fundit se po ikën për shkak se i duhet hapur rruga planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Një plan të cilin evropianët e kanë kundërshtuar me forcë prej muajsh, e që duket se qëndron edhe në bazën e kundërshtimit prej tyre, të rrëzimit të parakohshëm të qeverisë aktuale. Shkëmbimi i territoreve është një skenar i rrezikshëm që po i qëndron mbi krye kosovarëve, prej momentit kur Thaçi, Vuçiç dhe amerikanët pas tyre, kanë krijuar bindjen se mund të bëjnë të patrazuar një pazar tokash në mes të Ballkanit, pa lënë gjurmë dhe pasoja as në të tashmen, e as në të ardhmen. Një pretendim që ka krijuar më shumë se një palë ngritje supesh në pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, që i ka shumë të qarta pasojat që provokojnë këto lloj operacionesh aventureske.
Largimi i qeverisë Kurti le hapur, në këtë kontekst, një boshllëk të rrezikshëm që mund të mbushet nga akte të nxituara politike, e që mund të çojnë në situata komplekse. Sot në Kosovë, përveç aludimeve të presidentit Thaçi, asnjëra nga palët politike nuk e përkrah tezën e shkëmbimit të territoreve. Madje as vetë ish-partia e Hashim Thaçit. Nëse Kurti largohet për shkak se është kundër këtij skenari, apo edhe kundër heqjes së taskës, duhet kujtuar se edhe paardhësi i tij kishte mendime identike në këto aspekte. Prej këtej, nuk është e vështirë të supozohet se me ikjen e Kurtit, nuk do të ikë automatikisht edhe kriza.
E fundit, po jo më e parëndësishmja, ishte gjë e shëmtuar të shihje një shtet që sapo ka zgjedhur qeverinë e tij, të ngutej për të shkarkuar me maskë kryeministrin e sapozgjedhur. Është ironike që të vërehet për shembull, se Ramush Haradinaj me mandat të mbaruar, ndenji në zyrën e punës shumë më tepër se Albin Kurti i zgjedhur me votë të lirë. Një klasë politike që jepet pas tundimit të mocioneve të mosbesimit në kohë murtaje, nuk është një klasë politike për t’u marrë seriozisht. Ja kaluan edhe sherrxhinjvë të Tiranës. Diçka e vështirë për t’u besuar, por ja që ndodhi…