Nga Eduard Zaloshnja/
Në ditën e 21-të të epidemisë COVID-19, numri i rasteve gjithsej të konfirmuara zyrtarisht deri më sot arriti në 197, ose 66 për milion banorë. (Sipas faqes statistikore online të CIA-s amerikane, Shqipëria ka aktualisht rreth 3.07 milionë banorë.
Më poshtë paraqitet një krahasim dinamik dhe një statik i rasteve zyrtare me COVID-19 në Shqipëri dhe në disa vende të tjera.
I pari është një krahasim dinamik i ecurisë ditore të epidemisë në Shqipëri me ecurinë e javëve të para të epidemisë në Kinë (vendi ku u shfaq sëmundja COVID-19 për herë të parë), në Greqi (vend fqinj me kulturë të ngjashme ballkanike), në Itali dhe Spanjë (vende me kulturë të ngjashme mesdhetare, por që i filluan me vonesë masat shtrënguese ndaj epidemisë). Në të katra këto vende, protokolli i testimit për raste me COVID-19 në javët e para ishte i ngjashëm me protokollin e përdorur deri më sot nga Shqipëria. (Krahsimi me vende si Korea, Gjermania, etj. nuk do të kishte vlerë statistikore, sepse ato kanë përdorur që në fillim protokolle ekstensive testimi).
Meqë diferencat e popullsisë janë me miliona e qindra miliona mes këtyre vendeve, krahasimi duhet bërë patjetër për milion banorë.
Siç duket qartë nga grafiku shoqërues, deri në ditën e 17-të të epidemisë së secilit vend, incidenca zyrtare (rastet e konfirmuara për milion banorë) ka qenë pothuaj e njëjtë në Kinë, Greqi, Shqipëri dhe Spanjë. Por pas ditës së 17-të, kurba e Spanjës është shkëputur ndjeshëm, duke e arritur dhe e kaluar Italinë në ditën e 28-të të epidemisë.
Krahasimi i dytë është statik mes Shqipërisë dhe disa vendeve fqinje ballkanike. Krahasimi është statik, ngaqë nuk merr parasysh se në ç’datë ka filluar epidemia zyrtarisht në secilin vend, por thjesht fotografon situatën e ditës së sotme.