Liderët politikë shqiptarë po mundohet që edhe në kushtet e vetkarantinimit, për shkak të frikës nga Covis-19, të gjejnë mënyra për ti bërë mediat dhe opinionin publik që të flasin për ta. Ilir Meta tentoi këtë radhë që ta bënte këtë gjë, duke kopjuar Presidentin Amerikan Donald Trump, i cili iu nënshtrua pak ditë më parë testit për koronavirusin.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë fillimisht madje refuzoi, por sipas protokolleve mjekësore u detyra ti nënshtrohej testit pasi kishte darkuar në Washington me 4 drejtues të qeverisë së Brazilit, të cilët dolën më pas pozitivë. Siç u mësua nga mjeku personal i Donald Trump, vetë Presidenti i SHBA pavarësisht këtij konakti të afërt me të prekurit nga koronavirusi, rezultoi negativ.

Mënyra sesi Presidenti i Shqipërisë shkoi deri tek testi dhe sesi ai i publikoi rezultatet e tij në media, duket shumë e sforcuar për të mos thënë e gabuar.

E para, përse Ilir Meta duhej të bëjë testin kur siç e pranoi vetë kishte qenë në një ambjent palestre me dikë që sipas tij kishte rezultuar më pas pozitiv. Ndryshe nga Trump, kreu i shtetit tonë, as nuk kishte takuar fizikisht e as kishte qëndruar për një kohë të gjatë aq pranë tij. Përse vetëm Ilir Meta dhe jo gjithë të tjerët që kanë qenë atë ditë në palestër me të, duhej ti nënshtrohej këtij testi?!

E dyta, përse duhej ti nënshtrohej testit Presidenti, kur nuk kishte dhënë asnjë shenjë dhe nuk reflekton asnjë simptomë të Covid-19?

E treta, pse kreu i shtetit në vend të vetkarantinimit (kemi parë këto ditë në rrjetet sociale, foto të tij duke i ftuar qytetarët për ajër të pastër jashtë shtëpive?!) zgjodhi të vetëtrajtohet ndryshe nga të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës?

E katërta, a i është nënshtruar Presidenti protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për këtë rast? Sepse në to ka rregulla shumë strikte, që përcaktojnë se kur dhe si një qytetar duhet ti nënshtrohet këtij testi.

Dhe e fundit, përse duhej domosdoshmërisht që Kreu i Shtetit, ta bënte publik këtë lajm?!

Të gjitha këto tregojnë se në rastin më të keq, ky moment u përdor nga Ilir Meta thjeshtë për politikë, e në rastin më të mirë për të bërë thjeshtë një show mediatik në kohë koronavirusi.

Alpenews.al