Nga Mentor Kikia/
Nuk dihet nëse Coronavirusi ishte vërtet produkt i zhapikëve dhe lakuriqëve që hanë kinezët apo ishte një eksperiment i dështuar kimiko-ushtarak.
Filma të tjerë do të prodhohen mbi këtë histori, që ka vënë botën përpara dhe që ka mbyllur njerëzimin brenda shtëpive, qyteteve dhe shteteve të tyre si asnjëherë herë më parë, qëkurse janë shpikur makinat, trenat dhe avionët.
Por ajo që u provua katërcipërisht, është se sa e brishtë është jeta në Tokë. Sa lehtë shfarosemi, dhe sa pak duhet për ta çuar rracën tonë në fillimet e jetës primitive.
Ndërsa nuk kemi lënë gjë pa shpikur se si ti bëjmë gropën njëri-tjetrit, duke prodhuar bomba atomike, me hidrogjen e azot, duke prodhuar avionë që ecin më shpejt se zëri, e i jemi qepur pas shpejtësisë së dritës për ta arritur.
Duke prodhuar lloj-lloj rraketash, që mbarrijnë nga Moska në Uashington e anasjelltas, me shpejt nga sa mund të veshin ushtarët poturet, befas pamë se kishin harruar të mbrohemi nga një armik që na vret të gjithëve njësoj, amerikanë, rusë, iranianë e kinezë.
Armik që nuk luftohet as me raketa, as me bomba, as me sanksione. Befas ne pamë që ky armik i konsideron njësoj, si atë miliaderin ashtu dhe atë që s’ka bukë të hajë, si atë njeriun e thjeshtë ashtu dhe njeriun më të fuqishëm të botës.
Në emër të pasurimit dhe përfitimit, i jemi sulur planetit dhe po e shkatërrojmë, duke shfarosur pyjet e duke degraduar mjedisin.
Padyshim që Corona nuk do ta shfarosë rracën njerëzore, por një gjë ky virus duhet ta bëjë. Duhet të ndryshojë mënyrën e të jetuarit dhe prioritetet, mënyrën se si do ta drejtojmë ekonominë dhe botën në tërësi.