Në morinë e lajmeve të përditshme, ku dita-ditës rëndohet bilanci i të prekurve me koronavirus, Shqipëria ka marrë një lajm të mirë, të shumëpritur për vite me radhë. Bashkimi Europian çel negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord njëzëri në mbledhjen e sotme online që të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.

Nga ana tjetër, fitore e merituar e quan Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, çeljen e bisedimeve me BE-në. “Lajm i mirë në këto kohë të errëta: më në fund drita jeshile në Këshillin e Ministrave të sotëm për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Përëndimor. Urime në Tiranën dhe Shkupin, është e merituar”, shkruan Roth.