Pasi Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli coronavirusin COVID-19 një pandemi botërore, të gjithë sytë janë drejtuar nga puna për gjetjen e një vaksine, sepse në kushtet ku jemi sot vetëm vaksina mund të parandalojë njerëzit të sëmuren. Rreth 35 kompani dhe institucione akademike në gjithë botën po garojnë për të krijuar një vaksinë të tillë. “The Guardian” shkruan se të paktën katër prej këtyre grupeve kërkimore, tashmë kanë i kanë krijuar mostrat e para dhe i kanë testuar te kafshët.
Ajo që duket më e avancuar në këto kërkime është firma bioteknike me bazë në Boston Moderna, e cila në fillim të muajit prill do të nisë testet në qeniet njerëzore. Kjo shpejtësi e paparë është falë përpjekjeve të hershme kineze për gjetjen e materialit gjenetik të Sars-CoV-2, virusi që shkakton edhe Covid-19. Kina e ndau atë sekuencë gjenetike në fillim të janarit, duke lejuar grupet kërkimore nga e gjithë bota që të rritnin virusin e gjallë dhe ta studionin atë për të parë se si ai pushton qelizat njerëzore dhe i bën njerëzit të sëmuren.
Por ekziston edhe një arsye tjetër për këto ritme kaq të shpejta në punën për vaksinën anti COVID-19. Megjithëse askush nuk mund të parashikonte që sëmundja tjetër infektive, që do të kërcënonte globin, do të shkaktohej nga një koronavirus – vaksinologët kishin mbrojtur kërkimet e tyre duke punuar në patogjenët “prototip”. “Shpejtësia me të cilën ne prodhuam këto mostra na jep shumë shpresë se nuk jemi larg zhvillimit përfundimtar të një vaksine kundër COVID-19,” thotë Richard Hatchett, CEO i OJF-ve me bazë në Oslo, Koalicioni për Përgatitjen e Inovacioneve Epidemike (CEPI). Ky union është një nga përpjekjet kryesore për të financuar dhe koordinuar zhvillimin e vaksinave anti Covid-19.