“Leo Messi bën një donacion për të luftuar # Covid19 në # CLÍNIC. Faleminderit shumë Leo, për angazhimin dhe mbështetjen tuaj”. Me këtë frazë në llogarinë zyrtare të spitalit “Clínic de Barcelona” është njoftuar se kapiteni Blaugrana ka dhënë një shumë të konsiderueshme parash për të luftuar pandeminë, që po shkatërron planetin.
Sipas asaj që ka mësuar “Mundo Deportivo”, ylli argjentinas do ta ndajë këtë shumë për klinikën në fjalë, një qendër referimi në Barcelonë, qytetin ku ai është idhull, dhe një tjetër qendër mjekësore në vendin e tij, Argjentinë. Me këto para, këto subjekte shëndetësore referuese do të jenë në gjendje të blejnë materiale për të përballuar numrin e madh të pacientëve, të cilët do të duhet të trajtohen për shkak të kësaj epidemie që filloi në Kinë dhe po prek të gjithë planetin.

Mesazhi nga klinika vijon: “Ekipet e klinikës sonë janë të përkushtuar në këtë luftë dhe ne vlerësojmë të gjithë bashkëpunimin që vjen në rrugën tonë. Ne do t’i kushtojmë qasje multidisiplinare infeksionit me koronavirusin e ri “SARS-CoV-2”, si nga kërkimi, ashtu edhe nga kujdesi për pacientët dhe familjet e tyre. Natyra e jashtëzakonshme e situatës këshillon që institucioni t’i ndajë fondet e marra për të përmbushur nevojat dhe përparësitë e identifikuara. Si gjithmonë, në kohën e duhur, klinika jonë, në ushtrim të transparencës, do t’iu komunikojë dhuruesve të saj se cili ka qenë destinacioni specifik i burimeve financiare”.

Messi ka qenë gjithmonë i përfshirë në projekte të solidaritetit mjekësor. Në fakt, ndihma e tij ka qenë vendimtare për Qendrën Pediatrike në Spitalin e Barcelonës, “Sant Joan de Déu”. Ylli argjentinas i është bashkuar këtij projekti, duyke mbuluar shpenzimet e kurimit të shumë pacientëve të vegjël me kancer. Në lidhje me COVID-19, Messi ka marrë pjesë në projektin WHO dhe FIFA për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës se duhet të kujdeset shumë për higjenën e duarve, për të shmangur përhapjen e kësaj sëmundjeje.