Nga Alfred Peza
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i detyrohet sot një falje të madhe, publike dhe të sinqertë kryetarit të mazhorancës Edi Rama. Xheste të tilla kalorsiake janë të huaja për kulturën e të bërit opozitë në Shqipëri, ndaj edhe këto lloj artikulimesh, janë tepër delikate për qiellzën e udhëheqësve të tyre. Por kërkesa e ndjesës do të ishte kontributi më i vyer, që mund të jepej në emër të opozitarëve, për situatën që po kalon vendi dhe bota për shkak të koronavirusit.
Nga sot në mesditë dhe për gati dy javët në vijim, kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian, do të qëndrojnë të mbyllura. Është hera e parë në histori që nga krijimi i unionit, që kufizohen në një mënyrë kaq të rreptë katër liritë që qëndrojnë në themelet e saj: lëvizja e qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe e kapitaleve. Nuk besoj se ka më nevojë, që të shkruhet shkaku i këtij vendimi të paprecedentë në Europë, që nga Lufta II Botërore. Përgjigjen për këtë e dha pak orë më parë Presidenti i Francës Emmanuel Macron, në fjalimin drejtuar kombit kur përsëriti jo një, as katër, por plot pesë herë me radhë: Jemi në luftë!
Sot jo vetëm Franca, jo vetëm Shqipëria, jo vetëm shtetet anëtare të Bashkimi Europian, por e gjithë bota është në luftë, që nga momenti kur Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë globale nga Covid-19. Ndaj, duhet ta kuptojmë të gjithë njëherë e mirë dhe shumë qartë e pa as më të voglin hezitim, se: Jemi në luftë! Jemi në luftë për të ruajtur shëndetin tonë, nga një virus tepër i rrezikshëm që rrezikon seriozisht, për herë të parë në histori, deri edhe vetë mbijetesën e njerëzimit në këtë planet.
Kjo luftë që nisi në Kinë, e ka zhvendosur epiqendrën e saj në kontinentin tonë dhe Italia fqinje është momentalisht vatra më aktive e saj. Plot 7 ditë më parë, Kryeministri Edi Rama jo vetëm që e kuptoi, por edhe e shpalli hapur e publikisht aktin e hyrjes së Shqipërisë në luftë. Ndaj, edhe masat e mara për ta përballuar të, janë dhe do të jenë gjithnjë e më të forta. Sepse kjo luftë ka fazat e saj dhe në varësi të tyre, do të duhet që të reagojmë si një organizëm i vetëm, për ta përballuar me sa më pak humbje armikun tonë të përbashkët.
Por fatkeqësisht kryetari i opozitës sonë, duke mos e kuptuar apo pranuar që jemi në luftë, vazhdon e vazhdon me mendjelehtësinë më të madhe, lojën e tij të vjetër e të përhershme duke dashur që të përfitojë politikisht, edhe nga një situatë si kjo. Ndaj kur Edi Rama artikuloi për herë të parë përpara shqiptarëve se kishim hyrë në luftë, Lulzim Basha duke e konsideruar këtë akt ndoshta si një hile të madhe apo truk kryeministror, nxitoi që të shkruante në twitter: “Nuk jemi në luftë!”
Nëse ky do të ishte një reagim rastësor, nga ato që mund të vijnë për shkaqe nga më të ndryshmet, përfshi edhe moskuptimin në kohë të situatës në të cilën ndodhet vendi, atëherë një deklaratë e tillë nga shefi i opozitës, do të ishte e tejkalueshme. E në këto rrethana, gjithkush do të mundohej që ta justifikonte, qoftë edhe duke e kaluar në heshtje për të mos e rikujtuar më. Por, fakti që edhe pas një jave, Lulzim Basha flet thjeshtë dhe vetëm për një situatë emergjence, nga ato që kemi kaluar me dhjetra here në tri dekadat e fundit dhe jo për LUFTË, na bën të gjithëve që të ndalemi.
Sepse të flasësh sot thjeshtë dhe vetëm për një situatë emergjence, nuk ka të bëjë me moskuptimin apo mospranimin e një realiteti konkret, në të cilin ndodhet bota dhe Shqipëria. Mospranimi nga ana e kreut të opozitës i faktit se vendi ndodhet në luftë, nga ku burojnë edhe masat e jashtëzakonshme që janë vendosur e mund të vendosen në të ardhmen, do të thotë që kemi të bëjmë ose me miopi ekstreme politike ose me një përpjekje të qëllimshme për të bërë politikë në kurriz të shqiptarëve, për interesa të ngushta me llogari të pastra elektorale.
Nëse asnjëhera prej këtyre hamendësimeve nuk qëndron dhe Lulzim Basha është realisht po aq i shqetësuar sa edhe Edi Rama dhe qeveria e tij, për të përballuar dhe menaxhuar luftën kundër koronavirusit në Shqipëri, atëherë prova është fare e thjeshtë. Ai duhet të dali sërisht me një qëndrim publik, ku të deklarojë qartë e prerë se vendi është në luftë dhe se ai vihet në shërbim të saj. E bashkë me këtë, tu kërkojë një falje të madhe shqiptarëve dhe Kryeministrit Edi Rama, që humbi 7 ditë të papërsëritshme.
Nëse e bën këtë, Lulzim Basha do të jepte shembullin e parë real, se ai është duke u bërë vërtetë ai lideri që ëndërron e po mundohet që të na e shesë veten javët e fundit. Pra, një udhëheqës që e dëgjon zërin e qytetarëve, duke u ngritur në lartësinë e kësaj sfide, për të dhënë kontributin e tij në këtë luftë përkrah qeverisë. Sepse në luftë nuk ka patur dhe nuk duhet të ketë dallime mes mazhorancës dhe opozitës. Historia na mëson se në luftë, ose je me popullin, ose je me armikun. Rrugë të mesme, as nuk ka patur, e as nuk ka për të patur.