Senatorët e SHBA-së dhe zyrtarët e administratës së presidentit, Donald Trump, kanë arritur një marrëveshje mbi një projekt-ligj për të lehtësuar ndikimin ekonomik të shpërthimit të koronavirusit.
Senati ka votuar paketën 2 trilion dollarë dhe pas kësaj, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të veprojë njëjtë .
“Ky është një nivel investimesh i një kohe lufte në kombin tonë”, tha drejtuesi i shumicës së Senatit, republikani, Mitch McConnell, në një fjalim duke njoftuar për arritjen e paktit pas disa ditëve të negociatave midis ligjvënësve republikanë dhe demokratë, sekretarit të thesarit, Steven Mnuchin, dhe ndihmësve të tjerë të lartë të presidentit, Donald Trump.
Udhëheqësi e demokratëve të Senatit, Chuck Schumer e quajti masën “paketën më të madhe të shpëtimit në historinë amerikane”, duke e përshkruar atë si një “Plan Marshall” një referencë ndaj programit të financuar nga SHBA-ja që ndihmoi në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Pandemia globale ka vrarë më shumë se 660 njerëz në Shtetet e Bashkuara.
Nga koronavirusi i ri janë infektuar më shumë se 50,000 njerëz.
Disa shtete në SHBA kanë urdhëruar mëse 100 milion njerëz – gati një e treta e popullsisë – të qëndrojnë në shtëpi.