Bashkia e Tiranës do të kufizojë numrin e punonjësve që do të jenë në shërbim me qëllim parandalimin e përhapjes së Corona virusit. Në mbledhjen shabit të emergjencave, kryebashkiaku Veliaj shpjegoi edhe kategoritë e punonjësve të Bashkisë që do të marrin leje. “Do të bëjmë një kufizim të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, sidomos të stafeve që janë mbi 60 vjeç, të cilët fare mirë mund të marrin disa ditë pushim ose ndërprerje të ardhjes në zyrë sepse janë kryesisht moshat e mëdha ato që preken më shumë, ndërkohë që stafet e Bashkisë së Tiranës që janë në mënyrë të vazhdueshme të ekspozuara ndaj palëve të tjera. Do kërkoja t’u japim leje deri në datën 3 prill”, tha Veliaj.
“Sot është koha për t’u kujdesur për shëndetin dhe sidomos për fëmijët që do qëndrojnë në shtëpi prej ndërprerjes së procesit mësimor do të doja që Bashkia e Tiranës të ishte e para që vendos këtë etalon, për të liruar sidomos nënat dhe stafin jo esencial që të jenë pranë fëmijëve, duke ardhur 1-2 orë në ditë, për ato që janë le të themi firma të nevojshme apo procedura që Bashkia e Tiranës i ka jetike për avancimin e punës”, sqaroi Veliaj.