Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka marrë vendimin për të mbyllur të gjitha baret dhe restorantet, pasi nga dita e djeshme është konstatuar që asnjë lokal nuk respektoi rregullat e reja të vendosjes së tavolinave dy metër distancë nga njëra-tjetra, si masë parandaluese për koronavirusin. Ishte ministrja e Shëndetësise Ogerta Manasterliu që pas mbledhjes së ekspertëve kërkoi përshkallëzim të masave kufizuese, ku secili bar apo restorant që nuk e zbaton vendimin, do të gjobite me 20 milionë lekë të vjetra.
Kreu i qeverisë në një postim në Facebook, thotë se kjo masë do të nisë të zbatohet fillimisht në Tiranë dhe Durrës.
“Ndjesë por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi të mbyllim të gjitha restorantet, baret, klubet, në Tiranë dhe Durrës fillimisht!”. Një vendim ky që vjen pasi shumica e shqiptarëve nuk u ndërgjegjësuan pas masave kufizuese të lëvizjes që qeveria ndërmorri pas identifikimit të rasteve të para të të prekurve me koronavirus në vendin tonë, ku tashmë u shënua edhe viktimë. “Kjo nuk ësht ëkohë pushimes dhe argëtimesh jashtë shtëpisë, po kohë lufte dhe kjo luftë ftiohet vetëm duke kufizuar lirinë tënde, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës dhe duke ruajtur familjen tënde nga kontaktet e tua me jashtë. Frikë aspak, kujdes po. Madje shumë fare”, shkruan shefi i mazhorancës.
Po ditën e sotme qeveria mori vendim të nxjerrë në terren ushtrinë dhe policinë për të verifikuar nëse të ardhurit nga Italia apo zona të prekura nga koronavirusi e respektojnë vetëkarantinimin të paktën 14 ditë. Nëse ata shihen në rrugë do të gjobiten 5 mijë euro dhe me rikthimin e situatës në normalitet do u ndalohet të dalin jashtë shtetit nëse gjoba nuk shlyhet.