Memorie.al publikon historinë e panjohur të poetit dhe piktorit të njohur, Sadri Ahmeti me origjinë nga treva shqiptare e Vuthajt nën Malin e Zi, ish-nxënës i Dushan Mugoshës në shkollën e mesme të Pejës, i cili në vitin 1957, së bashku me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën dhe Selimin, mundën të arratiseshin nga Jugosllavia dhe erdhën në Shqipëri, ku pasi i mbajtën disa kohë në burgun e Tiranës duke i akuzuar si “agjentë të poshtër të UDB-së” i dërguan në kampin e Llakatundit të Vlorës, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 persona, shumica e të cilëve, emigrantë kosovarë.
Shkollimi i Sadriut në Buqësoren e Kamzës ku u diplomua si agronom dhe u sistemua me punë në rrethin e Beratit ku ishte si i internuar, pasi nuk kishte të drejtë të lëvizte pa leje me shkrim nga Dega e Punëve të Brendëshme, dhe rikthimi të pasionit të tij të fëmijrisë, poezisë, duke arritur të botonte edhe ciklet e para me poezi në disa gazeta e revista letrare të asaj kohe, si “Nëntori”, “Drita” etj.
Transferimi i tij në Ndërmarrjen Artistike të Krujës si piktor dhe e drejta që të vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve për pikturë, ku në vitin 1970, pas presioneve të shumta të Sigurimit të Shtetit që i kërkonin të dëshmonte me shkrim kundër disa shokëve të tij dhe bashkëatdhetarëve nga Kosova, Kapllan Resuli e Myrteza Bajraktari, ai u arrestua dhe vuajti katër vjet në kampin e Spaçit, pasi ishte akuzuar për “agjitacion e propagandë dhe agjent i UDB-së”. Lirimi i Sadriut nga burgu duke u dërguar në punë të rënda në guroren e Fabrikës së Çimentos së Elbasanit, ku në vitin 1982, mezi i shpëtoi arrestimit pasi i bëri një letër të gjatë Ramiz Alisë.
Nga Dashnor Kaloçi
“Për ato dy muaj isha student i pikturës në Insitutin e Lartë të Arteve në Tiranë, u thirra shpesh nga Sigurimi i Shtetit që të deponoja me shkrim për shumë persona me të cilët isha shoqëruar, për të cilët thuhej se bënin agjitacion e propogandë duke folur kundra Partisë dhe pushtetit. Ata më vunë kusht se në rast se nuk deponoja me shkrim rreth 70 faqe, për të gjithë ata shokë me të cilët kisha qëndruar nëpër tavolina, nuk do të më lejonin që të vazhdoja më shkollën. Kur erdhën për të marrë “porosinë” që më kishin lënë, unë i’u dorzova atyre 70 faqe letër të bardha. Ata u tërbuan fare nga kjo gjë dhe në shenjë hakmarrje, më arrestuan tek konvikti i qytetit “Studenti”. Kështu e kujtonte arrestimin e tij, piktori e poeti i njohur Sadri Ahmeti, duke na rrëfyer gjithë peripecitë e jetës së tij, që nga tetori i vitit 1957 kur ai la vendlindjen e tij, Vuthajn e Malit të Zi, për t’u arratisur së bashku me tre vëllezërit e tjerë, për në Shqipëri dhe ferrin që e priti me burgje e internime në atë vend ku ai kishte ëndërruar parajsën.
Familja Ahmeti nga Mali i Zi
Sadriu u lind në 23 mars të vitit 1939, në trevën shqiptare të Vuthajt nën Malin e Zi, prej nga është edhe origjina e familjes së tij. Sadriu ishte fëmija i tretë nga gjashtë djemtë dhe dy vajzat që kishte familja e Ali Himës, i konsideruar si një prej burrave më të pashëm e fisnik të asaj zone. Mësimet e para Sadriu i mori në Guci dhe në Pejë dhe që në moshë fare të re, ai shfaqi prirje dhe talent për letërsi e picture, duke arritur të botojë poezitë e para në shtypin periodik të Kosovës. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte: ”Gjatë viteve të shkollës së mesme kur isha në gjimnazin e përzier të Pejës, aty në rrethin letrarë të shkollës ku bëja pjesë edhe unë, vinte shpesh për të na kontrolluar, Dushan Mugosha, i cili mbante postet më të larta partiake e shtetërore në udhëheqjen e Kosovës. Ai kontrollonte poezitë tona, duke parë se mos aty ne bënim thirje për lirinë e Kosovës dhe ç’faqnim ndjenjat irredentiste, siç shprehej ai. Ato rrethe letrare unë i ndoqa për shumë kohë së bashku me shokun tim Qerim Ujkani, që më pas u bë një nga poetët më të njohur të Kosovës”.
Arratisja me vëllezërit në Shqipëri
Kur ishte në vitin e dytë në gjimnazin e Pejës, Sadriu filloi t’i kuptonte më mire, jo vetëm problemet e shkollës, familjes e letërsisë, por edhe ato politike, si shtypjen dhe metodat diskriminuese që përdorte e ndiqte rregjimi i Beogradit dhe kreu i saj, Josiph Broz Tito, ndaj shqiptërëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi. Rreth këtyre problemeve diskutohej shpesh në familjen e Ali Himës dhe një ditë vere të vitit 1957, Sadriu me tre vëllezërit e tjerë, Ramën, Mustafën e Selimin, vendosën të arratiseshin nga Jugosllavia për të arrdhur në Shqipëri. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Shpesh herë jo vetëm me shokët e shkollës, por edhe në familje, me vëllezërit dhe motrat, bisedonim për Shqipërinë, për të cilën kishim një adhurim të madh. Ne e kishim ëndërr ta shikonim atdheun tonë, ose vëndin amë siç i thonim ne. Kështu më 23 tetot të vitit 1957, u nisëm të katër vëllezërit në drejtim të kufirit shtetëror dhe kaluam nëpërmjet shkrepave midis zonës së Plavës dhe Valbonës së Tropojës. Rojet kufitare shqiptare pasi na kapën, na përcollën për në postë dhe që aty na nisën për në Tiranë, ku na futën në qelitë e burgut, duke na marrë në pyetje dhe na bënin presione nga më të ndryshmet.
Ata na thonin se: ne ishim agjentë të poshtër të UDB-së Jugosllave, e cila na kishte nisur me mision të posaçëm në Shqipëri. Në atë burg na mbajtën të izoluar për një muaj që ne të pranonim se ishim agjent të UDB-së. Mbas një muaji, kur ata u bindën që në atë aventurë ne na kishin shtyrë dëshirat dhe pasionet e moshës, dashuria për atdheun dhe urrejtja për serbët, na morrën të katër vëllezërit dhe na çuan në fshatin Llakatund të Vlorës. Ai ishte një kamp internimi që ruhej me polic, ku mbaheshin të izoluar rreth 700 vetë dhe ku shumica prej të cilëve ishin emigrantë kosovarë si dhe ne. Aty na bënin apelin tre herë në ditë dhe në ato kushte tepër të vështira, ne qëndruam për një vit, derisa kundër dëshirës time, më caktuan të vazhdoja Shkollën Bujqësore dy vjeçare në Kamëz të Tiranës”.
Agronom, boton poezitë e para
Pas mbarimit të Shkollës Bujqësore në Kamëz, Sadriun e caktuan të punonte në Berat. Po kështu dhe tre vëllezërit e tij u arsimuan në shkolla bujqësore dhe dolën agronomë. Në rrethin e Beratit, Sadriu ishte në kushte internimi, pasi nuk kishte asnjë të drejtë të lëvizte nga qyteti dhe për çdo gjë ai duhet të merrte leje nga Dega e Brëndëshme. Në ato kushte ai i kthehet pasionit të parë të fëmijërisë, duke shkruar poezi. Lidhur me këtë, Sadriu kujtonte:”Aty në periferi të Beratit, ku unë banoja i vetëm në një karakatinëtë quajtur ‘banesë’ fillova të shkruaj dhe përfundova poemën ‘Kanë ftohtë kasollet’. Ajo poemë fillimisht u pëlqye dhe një pjesë e saj u botua në gazetën letrare “Drita”. Më pas kjo poemë u ndalua dhe u hoq e drejta e ribotimit, për arsye se unë konsiderohesha i dyshimtë, dhe për më tepër, se nuk kisha nënshtetësinë shqiptare. Pas kësaj, shkrova poezinë tjetër “Midis meje dhe Diellit” të cilën e dërgova në një konkurs kombëtar. Gjë e cila nuk u pranua fare në konkurrim, pasi aty lejohej të merrnin pjesë vetëm ata me nënshtetësinë shqiptare, “status” të cilin unë ende nuk e gëzoja.
Nuk u dekurajova aspak nga këto privime që më bëheshin dhe vazhdoja të shkruaja, duke arritur të botoja disa cikle me poezi në gazetat dhe revistat letrare, jo me emrin tim, por me pseudonimin “ASSA”. Në vitin 1964 më larguan nga Berati dhe më çuan si agronom në një fermë afër qytetit të Krujës, ku në vitin 1966, më caktuan si piktor në Ndërrmarjen e Artizanatit në Krujë. Aty punova deri në vitin 1970, kur më dhanë të drejtën që të vazhdoja Insitutin e Lartë të Arteve në degën e Pikturës”, kujton Sadriu atë periudhë kohe, kur si rezultat i një politike jo shumë agresive që po ndiqte Tirana zyrtare ndaj Jugosllvisë së Titos dhe Kosovës gjithashtu, atij iu dha e drejta q ëtë ndiqte studimet e larta.
Student i pikturës dhe arrestimi
Endrra e Sadriut për t’u shkolluar në Insitutin e Lartë të Arteve në degën e pikturës, nuk ishte e thënë që të bëhej realitet, sepse ajo do të shuhej shumë shpejt, pasi ndaj tij do të fillonin probleme të tjera. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Ato dy muaj që isha student i pikturës, rashë në kthetrat e Sigurimit të Shtetit, që më thërriste shpesh për të dëshmuar me shkrim për disa persona që thuhej se bënin agjitacion e propagandë. Sigurimi më vuri kusht në rast se unë nuk do të deponoja me shkrim 70 faqe, për të gjithë shokët me të cilët unë kisha qëndruar nëpër tavolina, nuk do të më lejonin që të vazhdoja shkollën. Pas këtij ultimatumi, kur ata erdhën për të marrë “porosinë” që më kishin lënë, unë ju dhashë 70 faqe letër të bardhë. Ata u tërbuan nga kjo, dhe si shenjë hakmarrjeje më arrestuan në konviktin e qytetit “Studenti”.
Në hetuesinë e Tiranës më mbajtën 300 ditë dhe akuza ndaj meje ishte për “agjitacion e propogandë, e agjent i UDB-së”. Pak përpara se të arrestohesha unë, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar dhe dy shokët e mijë emigrantë kosovar, Kapllan Resulin dhe Myrteza Bajraktarin. Qellimi i Sigurimit të Shtetit ishte që ne të tre të na shpallnin si grup agjenturorë i UDB-së Jugosllave. Që në fillim të hetimeve mua më kërrkuan që të deponoja me shkrim kundër Myrtezait, dhe unë ju thashë se atë njeri e njihja shumë mirë. Ata më dhanë një laps dhe letrat e bardha, të cilat i mbusha me lavdërime për Myrtezain. Hetuesit kur e panë që unë po shkruaja, në fillim u gëzuan, por kur ua dorëzova letrat në dorë, ata u bënë si të çmendur. Njëri prej tyre më tha: ‘Mor maskara, ne nuk duam ta bëjme deputet Myrteza Bajraktarin’! Pas kësaj, kurrizi im pati pasoja fizike për shumë kohë. Po kështu pas kësaj më kërkuan të dëshmoja edhe kundër Kapllan Resulit, të cilin përsëri e mbrojta dhe them se nga kjo ai shpëtoi nga pushkatimi”.
Gjyqi: 4 vite burg
Pas 300 ditëve në hetuesi, në korrikun e vitit 1970, Sadriu doli në gjyq para një kolegji ushtarak të Tiranës. Arsyeja që ai ju dha për gjykim Gjykatës Ushtarake, ishte një manovër e Sigurimit të Shtetit, për ta paraqitur atë si një person të rrezikshëm dhe agjent të UDB-së. Lidhur me këtë Sadriu kutonte: ”Gjatë seancave të gjyqit më kërkuan të jepja shpjegime, sepse kisha thënë që ‘Enver Hoxha në bashkëpunim me Titon, kishin firmosur për vrasjen e pesë mijë nacionalistëve shqiptar që u egzekutuan në Masakrën e Tivarit’. Kryetari i gjyqit më tha se atë e kishte bërë Koçi Xoxe dhe unë nuk duhet të përmendja emër tjetër përveç tij.
Unë ju përgjgja, se nuk kisha asnjë dijeni për atë gjë, por meqenëse po e mësoja aty, isha plotësisht dakort me trupin gjykues se ajo ishte vepër e Koçi Xoxes. Gjatë proçesit gjyqësor nuk pranova asnjë nga akuzat që më bëheshin dhe në përfundim, Gjykata Ushtarake e Tiranës, më dënoi me katër vite burg politik. Të katër këto vite i vuajta në kampin e Spaçit në Mirditë, duke punuar nën tokë në minierë për nxjerrjen e mineraleve të bakrit e piritit. Nga ai burg u lirova ne vitin 1974 dhe menjëher më dërguan të internuar në Balëz të Elbasanit, ku më caktuan të punoja si minator duke nxjerrë gurë në gurroren e lëndës së parë të Fabrikës së Çimentos”.
I shkruan Ramiz Alisë
Pas disa kohësh qëndrimi në guroren e Balzës, Sadriun e lëvizën nga aty duke e çuar në shumë kantiere ndërtimi në rrethe të ndryshme të vëndit, ku ai vazhdimisht ishte nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Lidhur me këtë ai kujtonte: ”Në ato vite unë arrita të takohem dhe të krijoj miqësi me Mysine Kokolarin, të cilën ma prezantuan dy shokë të mij, Luan Maluka dhe Mehmet Isai, që më pas edhe ata përfunduan në burgun e Spaçit. Në ato vite edhe pse e dija që nuk më botonin, përsëri vazhdoja të shkruaja dhe në vitin 1982, arrita të botoj një cikël me poezi në revistën “Nëntori”. Kjo bëri një jehonë të madhe dhe në atë kohë u bënë shumë letra anonime kundër meje, nga disa poet mediokër.
Kjo ishte me pasoja për mua pasi Sigurimi i Shtetit po më bënte gati dosjen për të më ridënuar. Ajo u duk qartë pasi u fillua me një demaskim aty ku punoja në guroren e Balzës, pasi më kishte denoncuar një inxhinier, të cilit unë i kisha thënë: ‘Byroja Politke me Byronë Teknike, nuk kanë ndonjë ndryshim të madh, pasi ato i ndan vetëm një gërmë. Byroja Teknike shpik, kurse Byroja Politike shpif’. Në ato kushte, duke e ndierë se arrestimi im ishte çështje ditësh, u detyrova dhe i shkrova një letër të gjatë prej 44 faqesh Ramiz Alisë, duke i kërkuar që të respektoheshin të drejtat e emigrantëve kosovarë në Shqipëri. Në atë letër në mes të tjerash i shkruaja se ne emigrantët kosovar trajtoheshim si mysafir në atdheun amë, dhe i përmendja me emra shumë prej të cilëve ishin në burgje dhe internime.
Duke përfituar nga rasti, që Enver Hoxha pas dënimit të grupit të Kadri Hazbiut e kishte quajtur Ministrinë e Brendëshme një fole gjarpërinjsh, në fund të letrës unë shkruaja: ‘Të shkulet me themel godina e Ministrisë të Brendëshme dhe tullat e saj të hidhen në detin Adriatik, se akoma përbëjnë rrezikshmëri’. Përgjigja e Ramiz Alisë më erdhi nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv dhe aty thuhej se unë do të trajtohesha si të gjithë qytetarët e tjerë, me të drejta të barabarta, gjë e cila mbylli edhe dosjen e Sigurimit të Shtetit që po përgatitej të më arrestonte”.
55 vjeç diplomohet për pikturë
Nga letra që Sadriu i bëri Ramiz Alisë, përfitoi vetëm heqjen e survejimit që i bënte Sigurimi i Shtetit, sepse ai ngeli po aty si punëtor në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Vetëm pas shëmbjes së rregjimit komunist në vitin 1991, Sadriu mundi të këthehej në Tiranë dhe të vazhdonte Insitutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua për pikturë në vitin 1993-‘94. Që nga ajo kohë ai vazhdonte të shkruante, dhe arriti të botojë 10 libra me poezi dhe prozë. Po kështu Sadriu mori pjesë në disa ekspozita pikture, duke arritur të hapë edhe atër ekspozita vetjake në Shqipëri, dhe katër të tjera jashtë vëndit, si Itali, Zvicër, Gjermani e Kosovë. Mjeshtërinë e piktures, ai ja trasmetoi djalit të dytë, Ilirit, që u diplomua në Akademinë e Arteve të BUkura po për pikturë, kurse djali tjetër, Rubini, vazhdoi studimet dhe u diplomua për ‘Gjermanistikë’ në Gjermani. Me humorin që e karakterizonte, gjë pa të cilën ishte e vështirë ta përfytyroje Sadriun, ai shpesh herë shprehej “Shyqyr që erdhi kjo kohë të gëzojmë e të qeshim, se edhe këtë na e kishin ndaluar në atë kohë, kur kishe shumë për të qeshur”.