Nisja drejt Italisë, një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit, e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka tërhequr sërish sot vëmendjen e medias ndërkombëtare:
Euronews
Shqipëria ka dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Itali, vendi më i goditur në Europë nga pandemia COVID-19, njoftoi kryeministri shqiptar dje.
Ekipi mjekësor shqiptar u shoqërua në aeroportin e Tiranës nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
”Mjekët shqiptarë do të shkojnë në Lombardi për të ndihmuar kolegët e tyre italianë”, deklaroi Rama.
“Sot ne jemi të gjithë italianë”, tha Rama gjatë një fjalimi të shkurtër në aeroport.
“Italia do ta fitojë këtë betejë”, shtoi ai.
La Reppublica
”Koronavirusi, Shqipëria dërgon mjekë dhe infermierë: “Nuk e harrojmë Italinë që na ndihmoi” është titulli i gazetës së njohur italiane ”La Reppublica”.
“Dua të falënderoj kryeministrin Edi Rama, qeverinë shqiptare dhe njerëzit për solidaritetin që po na tregojnë”, tha ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio duke përshëndetur delegacionin në Fiumicino.
“Solidariteti që tregon Shqipëria është një vlerë e përbashkët që lindi në Bashkimin Europian dhe që po na kujton shumë vende të BE-së në këtë kohë”, shtoi Di Maio duke shpjeguar se mjekët do të shkojnë në Lombardi.
news1.news
News1.news i kushton kësaj ngjarjeje shkrimin me titull ”Urgjenca e koronavirusit, Shqipëria dërgon 30 mjekë në Itali: “Le të mos braktisim një mik në nevojë”.
”Faleminderit Tirana, thotë ministri i Jashtëm Luigi Di Maio ndërsa priti ekipin mjekësor shqiptar.
Sanitarët do të dërgohen menjëherë në Brescia. Ardhja në rajonin italian më të prekur nga urgjenca është koordinuar nga Francesco Boccia, Ministër për Çështje Rajonale dhe Autonome.
Nicolas Ferrante – gazetar
Shqipëria ndihmon Italinë me një patrullë prej 30 mjekësh.
Një mësim i shkëlqyer drejt shteteve të Europës Veriore që besojnë se kanë ekskluzivitet në BE.
Bisedimet e pranimit të Shqipërisë filluan ditë më parë, por faktet kanë më shumë rëndësi sesa traktatet.