Presidenca zbardh mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti Ilir Meta.
Në këtë mbledhje të mbajtur nëpërmjet një video-konference, morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Çështjet e diskutuara ishin:
-Masat që janë marrë dhe po merren nga Qeveria për përballimin e situatës në vend dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të pasojave të COVID-19;
-Përballimin e situatës ekonomike, nga efekti i sjellë nga përhapja e COVID-19;
-Masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptare, të cilët kjo situatë i ka gjetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për masat e marra dhe për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehu gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare thotë Presidenca, u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve njerëzore, mjekësore e shkencore për të përballuar me efikasitet të plotë këtë situatë të vështirë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, ekonomisë kombëtare, paqes sociale dhe sigurisë.
Presidenti Meta shprehu besimin se në këtë frymë uniteti, gjithëpërfshirjeje dhe bashkëpunimi, vendi do ta përballojë me sukses këtë situatë të vështirë, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, në interesin me të mirë të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.