Nuk ka nevojë për panik, por edhe vetëkënaqësi, deklaroi ministri grek i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias pas një vizite në një spital, ku ndodhen pacientë me raste të dyshuara të COVID-19. Ministri vuri në dukje se qytetarët duhet të marrin përgjegjësi personale për mirëqenien e tyre dhe të ndjekin në mënyrë rigoroze këshillat nga Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (NOPH). ‘’Lani duart shpesh, shmangni turmat dhe menjëherë informoni NOPH për këshilla në rastin e njerëzve të cilët kohët e fundit kanë udhëtuar në zona të prekura në Itali ose kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar të koronavirusit të ri’’, shtoi ai.
Lidhur me shtatë rastet e virusit të konfirmuara deri tani në Greqi, ai tha se të gjithë këta pacientë ishin në gjendje të shkëlqyer dhe kishin zhvilluar vetëm simptoma të buta.