Në postimin e fundit në rrjetin e saj social facebook, Ministrja Shahini ka prezantuar platformën mësimore Akademi.al, një platformë edukative në shqip që ofron mësimdhënie online sipas metodave dhe standardeve më bashkohore. “900 leksione në matematikë dhe shkenca, për klasat 6-12, i gjeni në platformën mësimore Akademi.al”, shprehet ajo ndërsa i bën thirrje nxënësve të regjistrohen sa më parë dhe t’i aksesojnë leksionet në këtë platformë. “Regjistrohuni sa më parë dhe aksesojini ata. Nëse keni pyetje, na shkruani këtu. Paralelisht, pyetjet më të shpeshta që nxënësit kanë për leksione të caktuara, do t’i adresojmë me video të reja nga mësuesit dhe do të publikohen këtu”, nënvizon Ministrja Shahini.
Njëkohësisht, ajo prezanton edhe themeluesin e kësaj platforme, Dean Çelaj, i cili e ka vënë atë në dispozicion të të gjithë nxënësve e mësuesve pa pagesë, ndërsa shton se “Tani, në bashkëpunim me MASR, Akademi.al do të pasurohet me video-leksione të tjera për lëndët dhe klasat që mungojnë”.
E krijuar në gusht të vitit 2019, platfotma mësimore Akademi.al numëron mbi 900 video mësimore, me synimin për t’u shtuar në vazhdimësi në lëndët shkencore, të përgatitura nga një staf profesionistësh me eksperiencë shumëvjecare në fushën e arsimit. Ajo mbulon matematikën dhe shkencën në përputhje me kurrikulën mësimore të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.