Nga Lorenc Vangjeli/
U bënë shumë ditë që gjithë njerëzimi është nën pushtetin absolut të frikës. Shpallja zyrtare e gjendjes së Pandemisë botërore nga OBSh-ja, vendosja e kurrorës së virusit në më shumë se 100 vende dhe përhapja e tij në çdo kontinent, i ka vënë vulën këtij pushtimi pothuaj virtual dhe pushtimi tërësisht real cep më cep të globit. Më saktë, frika e paniku, histeria dhe paranoja janë vetëm simptomat e tij të dukshme, kurse ushtrimi i pushtetit bëhet jo nga pandemia, por nga tjetër forcë. Ajo nuk vjen nga një individ apo grup individësh, siç tmerrojnë teoritë e konspiracionit. As një nga shtet apo nga një superfuqi, siç besojnë zakonisht të dobtit, të cilët e shpjegojnë dobësinë e tyre me forcën e pakontrolluar të më të fortëve. Madje ky pushtet nuk është rrjedhojë as e magjisë së pakufishme të Fuqisë së Epërme, të cilës besimtarët dhe fanatikët i atribuojnë krijimin e botës, shpërblimin e të mirëve dhe ndëshkimin e të ligjve.
Nuk është asgjë nga këto. Eshtë diçka krejt tjetër që ka vite që ka hyrë në jetën e përditshme të gjithësecilit.
Eshtë diçka që nuk ka lënë askënd indiferent dhe pa e prekur, por që gjithmonë e më shumë, vit mbas viti, ka arritur në nivele depërtimi të pamendueshëm më parë në mënyrë kapilare.
Eshtë diçka që ka ndryshuar stilin e jetesës, që ka evoluar radikalisht qënien njerëzore në thelbin e saj, në mënyrën sesi njeriu koncepton jetën dhe vd ek jen, të mirën e të keqen, të dobishmen dhe të pavlefshmen. Eshtë diçka që shërben si një kategori estetike dhe ndan të bukurën dhe të shëmtuarën, ngjyrën nga zgjyra, shijen nga neveria. Eshtë hapësira që shërben për të vrarë kohën e atyre që nuk kanë kohë, që ju jep vetmi edhe atyre që nuk e kanë të nevojshme dhe mton të rikrijojë elita e hierarki sociale. Eshtë diçka që e ka bërë padyshim shumë më të lehtë jetën njerëzore, por në të njëjtën kohë, e ka bërë atë të jetë më pak njerëzore. Eshtë diçka që e ka bërë gjithëkënd rob e të varur mbas “like”-s së madhërishme dhe “dislike”-s së përbindshme.
Ajo që po ndodh sot, është prova ulëritëse e pushtetit absolut të botës virtuale të internetit dhe rrjeteve sociale që po dëshmojnë këto ditë dominimin e botës dhe pushtetin e tyre absolut mbi gjithë botën. Pandemia e Corona Virusit është vetëm dukja formale. Fytyra e momentit. Eshtë forma, por jo thelbi. Eshtë hapësira në të cilën një psherëtimë në njërin cep të botës, dëgjohet si ulërimë dhe në kohë reale në skajin tjetër të saj; është mundësia që secila hije shndërrohet në terrin më të thellë se të ferrit, është lineariteti ku e liga është lajmi i vetëm, ku i vde kuri numërohet dhe i shëruari nuk quhet.
Bota e madhe e internetit është vullneti popullor që vendos kush qeveris dhe ku, është vota që rrëzon e krijon qeveri, është luga bosh që ngop të uriturin, është seksi ku bën namin edhe impotenti, është ringu ku grushton dhe i paralizuari dhe pista ku del i pari në garë inteligjence, çdo mushkë idiote me llogari Facebook-u e foto Instagrami.
Në vend të Pandemisë së virusit mund të ishte gjithçka tjetër. Ngrohja globale me gjithë derivatet e saj, kjo fe’ e re e njerëzimit, dishepujt e të cilës janë gati të kryqëzojnë gjithë skeptikët që mendojnë se toka thjesht po kalon një cikël normal të ekzistencës së saj, është një nga provat e pushtetit global që drithëron gjithë njerëzimit. Që e ka vënë atë në kryqin e frikës, si një provë që po vjen dita e qametit.
Njerëzimi ka parë shumë herë më keq. Duke nisur me së paku me dy Luftëra Botërore tek pandemia e tmerrshme e gripit spanjoll në shekullin e shkuar e duke vazhduar me frikën nga AIDS-i e deri tek rreziku i flamës së terrorizmit në këtë shekull si rrezik global. Por në asnjë nga këto raste, frika dhe paniku nuk ka qenë qytetari i parë i botës si tani, kur këtë lloj pushteti e ushtron depërtimi i internetit mbi çdo individ.
Krahasimi i shifrave që japin matematikanët dhe fjalët e mjekëve heronj dhe shkencëtarëve seriozë, mbyten përballë ulërimës dhe bulurimës të gjithfarë të marrëve, paranojakëve, mitomanëve që hedhin nga një gur e shumë gurë në hapësirën virtuale. Duke ndihmuar dhe ndikuar në klimën e panikut dhe duke rënë dhe po vetë nën të njëjtën klimë.
Qeveritë në mbarë botën, në efekt domino ndaj njëra-tjetrës, kanë përshkallëzuar masat dhe kundërmasat edhe nën presionin publik që mendon se asnjëherë nuk është bërë sa duhet dhe si duhet për të shmangur e luftuar pandeminë. Duke krijuar kështu një qark të mbyllur dhe spiral në spiralen gjithmonë e më të epërme të ashpërsimit të masave. Sepse edhe qeveritë janë nën pushtetin e internetit. Edhe ata që qeverisin, janë nën pushtetin e kësaj force më të epërme se vetë “Zoti”. Fundja ka shumë skeptikë që e refuzojnë peshën e qiellit, kurse pushtetin e internetit e besojnë të gjithë.
Diku nga fundi i prillit apo të majit, kur histeria të ketë filluar të bjerë sepse pandemia do të ketë ikur, do të kuptohen disa të vërteta të thjeshta. Duke nisur me faktin e pakthyeshëm se tashmë është koha e internetit dhe se makthi i këtyre ditëve, është fatura që duhet paguar si haraç. Një kartëmonedhë me fytyrën e Convid -19.
Virusi siç erdhi ashtu dhe do të shkojë. Do të harrohet si një ëndërr e keqe sepse shumë shpejt do të vijë një tjetër lloj makthi që do t’i zerë vendin. E vetmja gjë që thjesht do të rritet do të jetë pushteti real i botës së padukshme të internetit, që ka sjellë tashmë edhe Ditën e Qametit në gjithë dynjanë. Sepse me siguri, një shenja më e dukshme të ardhjes së asaj dite, do të shfaqet në kohën kur çdo mushkë idiote katundi, ka mundësi të ngrejë mbretërinë vetjake ku sundon si Zot sindroma Kardashian dhe vetadhurohet si Zot, b…tha budallaqe Kardashian.