Nga Skënder Minxhozi/
Një muaj më parë ishim të gjithë në një situatë krejt të ndryshme nga kjo e sotmja. Kishim jetët tona normale, shkonim në punë, hynim e dilnim në shtëpitë, zyrat, në lokale, rrugë, tregje e kudo tjetër që të çon një ditë banale e njeriut normal. Prej njëzet ditësh egzistenca jonë, ashtu siç e dinim qëkur kemi ardhur në këtë botë, ka marrë një kthesë të fortë dhe dramatike. Kemi zënë të gjithë “transhetë“ tona familjare, si për të provuar edhe një herë aksiomën se streha e fundit mbetet gjithmonë shtëpia jote.
Paradigma e çmendur e marsit të këtij viti do të mbahet mend gjatë. Dhe do të mbahet mend nga shumë e shumë popuj kudo në botë. Një krizë gjigande në të cilën e sheh veten të përfshirë e gjithë raca njerëzore. Në harkun e njëzet ditëve kemi humbur të gjitha pikat e orientimit. Po aklimatizohemi në kushtet e karantinës, të mosdaljes nga hapësira e ngushtë e banesave tona, po mësojmë të zbatojmë distancimin social, një standart krejt i papranueshëm, sidomos për popujt mesdhetarë. Ndërsa të gjithë pyesim se kur do të mbarojë ky kalvar, sërish të gjithë bëjmë sikur i ikim pyetjes tjetër “a do të ketë ndonjëherë rikthim në normalitetin e dikurshëm“?
Shoqëria shqiptare e tridhjetë vjetëve të fundit, nuk ka qenë një ambjent i qetë dhe harmonik. Kemi kaluar trauma e drama të të gjitha përmasave, të cilat i rikujtojmë sot nga e para mes nesh për të vrarë kohën. Dhe nuk gjejmë, për fat, thuajse asnjë pikë takimi me këtë që po përjetojmë sot. As viti 1997 nuk qe i tillë, as fillimet e demokracisë me krizat e thella ekonomike, as përplasjet e përgjakshme politike nuk arritën kurrë në këtë shkallë përmbysjeje dhe tjetërsimi të egzistencës normale. Në marsin shqiptar ka ndodhur një çarje epokale, që s’dihet se kur dhe sesi do të ngjitet.
Në fillim të këtij muaji politika shqiptare bënte sikur nuk e shihte cunamin që po vinte nga Vuhani, e vazhdonte të përplaste shpatat. Ndërkohë që Evropa mbyllte stadiumet, teatrot e kinematë, në Tiranë bëhej thirrje për mbledhje turmash në sheshe dhe rrëzimin me dhunë të parlamentit. Sa qesharake, sa e papërgjegjshme dhe dritëshkrutër.
E gjitha kjo politikë miope, që sot e shohim të konsumohet në Kosovën fqinje, do të merrte një shuplakë përvëluese një javë më vonë, kur në një lavazh të periferisë, babë e bir të infektuar me Covid 19, do të na fusnin zyrtarisht si vend, në tunelin e errët të pandemisë. Ditët që historikisht i rezervoheshin mësuesve dhe grave, u kthyen në ditët e kyçjes brenda kolektive të një populli të tërë.
Marsi na ka futur me dhunë në një dimension të ri, ku shumëçka deri dje e pranueshme, edhe pse absurde, sot duket qesharake, meskine dhe banale. Me këtë thirrje të vrazhdë për t’u mbrojtur nga e rreziku për jetën, ky muaj ka vendosur në një kontekst të drejtë shumë nga dogmat e mitet urbane false, mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare në dekadat e fundit.
Tani qëndrojmë mbyllur, numërojmë të vdekurit e të sëmurët dhe i kemi harruar totalisht vogëlsitë e një jete tjetër, e cila mbaron në ditët e para të këtij muaji fatal që po lemë pas. I kemi zbritur pretendimet në instiktin bazë: ruajtjen e jetës!
Do ta mbajmë mend gjatë marsin e vitit 2020. Me shpresë, kur e gjitha kjo të ketë mbaruar, përtej dhimbjes dhe vragave që do të lerë pas, do të na ketë bërë gjithashtu edhe pak më të mirë.