Ndërprerja e kampionateve për shkak të koronavirusit ka futur në rrugë qorre futbollin në katër anët e botës. Gjithsesi tani për tani në Premier League datat e përcaktuara për rifillimin e kampionatit kanë revoltuar futbollistët, të cilët nëpërmjet shoqatës së tyre kanë ngritur zërin.
Sipas vendimeve të ditës së enjte Premier League do ta mbyllë këtë sezon më 12 korrik, ndërsa sezoni i ri do të fillojë me 8 gusht, duke lënë një hapësirë prej vetëm 25 ditësh pushim. Edhe kjo hapësirë do të reduktohet, duke patur parsysh faktin se duhet një periudhë përgatitore.Në këtë mënyrë futbollistët rrezikojnë dëmtimet e rënda, por edhe futbolli kualitativ mund të zbehet. Për më shumë sezoni 2020-2021 për disa futbollist do të jetë më i zgjatur, pasi është i parashikuar edhe Europiani.
Sakaq një problem tjetër që ka lindur si pasojë e koronavirusit ka të bëjë me agjencitë e futbollistëve. Shumë prej tyre këtë verë do të humbasin bonuset e parashikuara në kontratë, në një kohë kur edhe me ligj nuk janë të mbrojtur. Afatet e vendosura me palët e përfshira me siguri nuk tejkalojnë qershorin, ndërsa me shtyerjen e kampionateve gjithçka hidhet në erë.
Gjithsesi gjithçka më sipër mund të ndodhë në versionin më të mirë, pasi zërat për ta mbyllur këtu sezonin po shtohen akoma më shumë, pasi koronavirus nuk dihet se sa do të zgjasë.