Federata e Futbollit e Anglisë dhe Premierliga janë duke e shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve prapa dyerve të mbyllura më vonë gjatë këtij sezoni, në mënyrë që të kontrollohet përh apja e koronavirusit. Që të dyja organizatat do të takohen me këshilltarë të qeverisë britanike për shëndetin publik para se të bëjnë ndonjë ndryshim në agjendën e ndeshjeve. Megjithatë, tashmë këto dy autoritete të futbollit kanë mbajtur bisedime për t’i diskutuar masat që duhet të ndërmerren nëse qeveria i ndalon eventet e mëdha sportive. Zhvillimi i ndeshjeve pa praninë e tifozëve është përmendur si një opsion. Anulimi i ndeshjeve mund të rezultojë në humbje multi-milionëshe, kështu që bisedimet janë përqendruar te mundësia e zhvillimit të ndeshjeve pa tifozë në stadiume, që do të ishte edhe opsioni i preferuar nga televizionet që kanë paguar për transmetimin e atyre ndeshjeve.
Gjatë diskutimeve, Federata e Futbollit e Anglisë e ka ngritur si temë edhe nevojë për të ndarë fonde solidariteti për klubet e kategorive më të ulëta në rast se ndeshjet vendoset të zhvillohen pa tifozë, pasi që ato klube varen nga përfitimet nga shitja e biletave shumë më shumë sesa homologët e tyre në Premierligë. “Jemi në kontakt me autoritetet, ne jemi në duart e autoriteteve lokale dhe do të përballemi me çfarëdo që na thonë ata. Nuk ka rrezik për ndeshje të tjera me aq sa dimë tani, përveç atyre që tashmë janë bërë publike”, ka thënë një zëdhënës i UEFA-s. UEFA e diskutoi vetëm shkurtimisht koronavirusin në takimin e Komitetit Ekzekutiv të së hënës në Amsterdam, përkundër rrezikut që ky virus përbën për zhvillimin e Kampionatit Evropian këtë verë dhe për ligat vendore. “Ne do të reagojmë ndaj asaj që këshillon Organizatat Botërore e Shëndetit dhe njerëzit e tjerë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga java e kaluar dhe ky është qëndrimi ynë”.