Ndizet Flaka Olimpike në Olimp të Athinës. Në ceremoninë e zakonshme të zhvilluar, në ndryshim nga herët e tjera, si pasojë e përhapjes së Koronavirus dhe rrezikut të madh që epidemia ka sjellë në Europë, të pranishëm ishin vetëm 100 persona dhe të distancuar mirë mes tyre.
Ndezja e pishtarit dhe nisja e kalimit të tij në formë stafete u krye nga aktorja Xanthi Georgiou. Pishtari do t’u jepet organizatorëve të lojërave olimpike të Tokios në Athinë, më 19 mars.
Thomas Bach, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, tha përpara një turme të vogël njerëzish në Peleponez se 19 javë para ceremonisë së hapjes, organizata të ndryshme nëpër botë po marrin masa të rëndësishme për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, ndaj kjo u jep forcë për të vendosur që përgatitjet të vazhdojnë normalisht.
Lojërat OIlimpike 2020 pritet të mbahen në Tokio, nga 24 korriku e deri më 9 gusht, një datë që është vënë në pikëpyetje nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Organizatorët në Japoni kanë këmbëngulur që përgatitjet të vazhdojnë sipas planit, ndërkohë që janë shtuar spekulimet se mund të anulohen.