“Nuk jemi në pikën kritike të shfaqjes së rasteve të rënda që kërkojnë asistencë respiratore, por theksoj që javët në vazhdim do të kemi pikun e rasteve edhe të atyre që do të kërkojnë edhe asistencë”.
Kështu u shpreh në një lidhje në emisionin “Opinion” Eugena Tomini drejtuesja e Task Forcës, në luftën kundër koronavirusit. Ndërsa Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur ditët e fundit, Tomini thotë se ndër të tjera, një kapriço e virusit ka shënuar rritje tek të prekurit edhe në moshat e reja.
“Megjithëse virusi po bën kapriço sepse po bën atipizëm në prekjen e grupmoshave sepse ka mbizotëruar edhe në grupmoshën e të rinjve, që ne themi 25-45 vjeç. Është për t’u parë në vijim sepse deri tani kemi theksuar shumë për moshën e tretë, por duhet të themi që ka atipizim të virusit kundrejt moshave të reja. Është për t’u parë edhe në vijim. Kemi edhe rikuperime rreth 17 raste, mosha mesatare 39.8 vjeç. Kemi shumë punë për të bërë dhe kjo punë është e përbashkët”, tha Tomini.