Nëse nuk do ishim të gjithë të detyruar që të futeshim në vetkarantinim për shkak të pandemisë globale të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, realiteti politik në Shqipëri do të ishte në një dinamikë tjetër nga ky aktuali.
Përshembull deri në datën 15 mars mazhoranca dhe opozita kishin arritur një marrëveshje për të përfunduar sëbashku reformën e re elektorale. Në komisionin parlamentar të posaçëm përfaqësuesit e PS Damian Gjiknuri, i PD Oerd Bylykbashi, i LSI Petrit Vasili dhe e opozitës së re Rudina Hajdari kanë punuar sistematikisht edhe me ekspertë e përfaqësues të tjerë të politikës dhe ndërkombëtarëve në Tiranë, për të adresuar të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Por, sigurisht që data kufi e përfundimit të draftit të dakordësuar kaloi dhe do të duhen ditë e javë të tjera për të mbërritur deri aty. Jeta parlamentare ka ndaluar si shumë aktivitete të tjera të përditshme në vend.
Edi Rama pas kongresit zgjedhor të 29 shkurtit, pritej gjatë këtyre dy javëve të marsit që të mblidhte Asamblenë e re Kombëtare të Partisë Socialiste, e zgjedhur me votë nga delegatët. Kostituimi i Asamblesë u shty bashkë me shtyrjen e të gjitha aktiviteteve të tjera të partisë në pushtet, për shkak të koronavirusit dhe nuk dihet se kur do të mblidhet. E sigurtë është që marsi do të kalojë dhe zgjedhja e Kryesisë dhe sekretariatit të ri të PS nga ana e Asamblesë Kombëtare, mund të shtyhet për në muajin prill.
Ilir Meta pas protestës politike të 2 marsit në bulevard, pritej që të niste turin e paralajmëruar të takimeve për beslidhjen e tij të re me shqiptarët, siç e kishte cilësuar. Kreu i Shtetit besohej se bashkë me këtë lëvizje, pritej të ngjizte edhe një forcë të re politike në përpjekje për të konkuruar përballë Lulzim Bashës brenda të djathtës, për lidershipin e opozitës shqiptare.
Presidenti i Republikës ka qenë i pafat në këtë ndërmarje politike kundër mazhorancës qeverisëse, pot ë kemi parasysh se herën e parë kur kishte paralajmëruar nisjen për më 8 dhjetor të turit të takimeve nëpër Shqipëri, pak orë pas këtij njoftimi ra tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Ndërsa tani u shpall pandemia globale nga Covid-19 nga OBSH.
Monika Kryemadhi këto ditë është munduar që të ekspozojë anën e saj si një amvisë shtëpie, duke postuar në rrjetet sociale aspekte të jetës së një gruaje normale shtëpie, herë duke larë enët e herë duke hekurosur e bërë punë të zakonshme. Kuptohet, me kujdesin më maksimal që pamjet të mos tregonin asgjë tjetër për tu komentuar nga qytetarët, rreth banesës private. LSI nuk kishte njoftuar më parë ndonjë aktivitet të veçantë, me sa duket në pritje të zhvillimeve te tjera në vend.
Ndërsa Lulzim Basha sapo kishte nisur një fazë të re të formësimit të profilit të tij politik si një lider ndryshe, kur çdo ditë mundohej që të paraqiste takimet e “natyrshme” me qytetarët, studentët, familjarët. Do na mungojnë gjatë këtij muaji, pozat e tij me gjyshe Verën duke blerë domate a shegë dhe trokitjet nëpër dyert tona, kur vinte për të na kontrolluar frigoriferët, për të na dëgjuar apo për të na nxitur që ta këshillonim në mënyrë që ai kur të vinte në pushtet… ti mbante ato vath në vesh e ti zbatonte.
I vetmi që duket i lumtur në këtë periudhë është Sali Berisha. Sa më keq të jetë Shqipëria aq më shumë punë ka ai me qytetarin e tij digjital që është denoncuar tashmë në prokurori për fake news-et që poston pa u lodhur, ku akuzohet për përpjekjet për të përhapur panik,- si dikur me tërmetin,- me situtatën e koronavirusit.
Alpenews.al