Në përgjithësi, ekziston një besim i shumëpërhapur, se recesionet ekonomike dhe katastrofat prodhojnë krim dhe kaos. Por të dhënat konkrete, nuk e mbështesin këtë ide. Pavarësisht se pandemia e Covid-19, ka futur në karantinë miliarda njerëz, ka sëmurur qindra mijëra, dhe i ka marrë jetën deri tani dhjetëra mijëra njerëzve, kjo emergjencë e rëndë shëndetësore, ka sjellë edhe efekte pozitive. Ja cilat janë ato:
Kriminaliteti po bie
Ndërsa koronavirusit po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, dhe është i pritshëm një recesion i madh ekonomik global me pasoja negative të paparashikueshme, shkalla e kriminalitetit po bie. Gazeta amerikane “The Washington Post” shkroi një ditë më parë:”Javët e para të pandemisë në qytetin më të madh të SHBA-së, nxitën një rënie 2-shifrore të krimit, pasi njerëzit e këqij duket se janë po aq të frikësuar nga koronavirusi i ri, sa të gjithë të tjerët…
Javën e kaluar, Nju Jorku regjistroi vetëm 1 vrasje, krahasuar me 8 javën e kaluar.
Kanosjet dhe sulmet e dhunshme, kanë rënë me rreth 18 përqind, krahasuar me javën e kaluar”. Ndërkohë kriminaliteti po bie edhe në Britaninë e Madhe, por edhe në shumë vende të tjera nën karantinë. ”The Guardian” raporton:”Kriza e koronavirusit, ka çuar në një rënie të krimit, deri në 20 për qind në disa zona”.
Shkalla e kriminalitetit, ra edhe gjatë recesionit të madh të 2008-ës
“The Wall Street Journal”, raportoi se edhe pas recesionit të madh në vitit 2008, niveli i krimit në SHBA pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitin 2009, FBI-ja raportoi një rënie prej 8 për qind të shkallës së grabitjeve në të gjithë vendin, dhe një rënie me 17 për qind të nivelit të vjedhjeve të makinave nga 1 vit më parë. Për më tepër, midis viteve 2008-2010, Nju Jorku raportoi një rënie prej 4 për qind të grabitjeve, dhe një rënie prej 10 për qind të vjedhjeve. Edhe Bostoni, Çikago dhe Los Angeles, raportuan rënie të ngjashme.
Shkalla e kriminalitetit, ra edhe gjatë Depresionit të Madh
Kur mendojmë për fillimin e viteve 1930, shumë prej nesh imagjinojnë një dyshe si ajo e Bonit dhe Kjadit. Por gjatë Depresionit të Madh, fakt është se niveli i krimit ra. National Public Radio shkruan:“Vitet e Depresionit, kishin shumë pak krime. Me problemet aktuale ekonomike, shumë njerëz supozojnë se do të nisë një valë e re krimesh. Por kriminologët thonë se ky është vetëm një mit amerikan”.
Dhe në fakt një studim i Universitetit të Kalifornisë:”Por krimi në përgjithësi gjatë Depresionit ra. Vasjet ranë ndjeshëm, pavarësisht nga Prohibicioni dhe roli që pati krimi i organizuar në kontrabandën e alkoolit. Pra, periudha më e keqe ekonomike e Amerikës, nuk prodhoi shtim të krimeve”.
Solidariteti social, rritet gjatë kohërave të vështira
Komunitetet që pësojnë katastrofa, zhytën rrallë në kaos. Në fakt, shumë shpesh ndodh që solidariteti shoqëror rritet. Në një studim të reagimeve sociale ndaj katastrofave natyrore në SHBA, sociologu Çarls Fric nuk gjeti asnjë shembull të një paniku të qëndrueshëm pas një katastrofe të madhe.
Sipas tij, fatkeqësitë krijojnë një “komunitet vuajtësish”. Përpjekja për të kapërcyer rreziqet
e një fatkeqësie, dhe për të ri-stabilizuar jetën sociale, na ofron një strukturë dhe një synim për veprimtarinë njerëzore, që na mungon në jetën e përditshme. Në këto kushte, njerëzit e përdorin tragjedinë si një kornizë të zakonshme reference. Dallimet bëhen më pak të rëndësishme.
Njerëzit evoluan për t’i kapërcyer vështirësitë
Lidhja midis kërcënimit dhe solidaritetit të shfaqur, nuk është e rastësishme. Bashkëpunimi për të kapërcyer kërcënimet, është një tipar përcaktues i Homo sapiens. Juval Harari, autor i ”Sapiens”, vëren se tek për tek, një shimpanze do ta mposhte një njeri.
Por 1.000 njerëz, do t’i mposhtnin 1000 shimpanze. Kjo për shkak se aftësitë bashkëpunuese të njerëzve, i tejkalojnë ato të shimpanzeve. Majkëll Tomazelo, ekspert mbi aftësitë njohëse të shimpanzeve thotë:Është e pakonceptueshme, që të shihni ndonjëherë dy shimpanze të bashkëpunojnë mes tyre për diçka”.
Ndërkohë, njerëzit dëshirojnë kapërcimin e pengesave. Politikologu i njohur amerikan, Frensis Fukujama shkroi dikur:”Nëse burrat nuk mund të luftojnë dot për një kauzë të drejtë, atëherë ata do të luftojnë kundër një kauze të drejtë. Ata do të luftojnë për hir të luftës.
Pra ata do të luftojnë për shkak të një lloj mërzie:sepse ata s’mund të imagjinojnë dot të jetojnë në një botë pa luftë”. Kjo gjë sugjeron që kur të mbarojë lufta aktuale, ne do t’i rikthehemi fabrikimit të krizave të reja, që duhet t’i kapërcejmë. Por tani për tani, kemi përballë një krizë të vërtetë. / “Psychology Today” – Bota.al