Një vajzë 12-vjeçare belge e infektuar me koronavirus është bërë personi më i ri në Evropë që ka ndërruar jetë nga COVID-19.
Vdekja në një moshë kaq të re “është një dukuri shumë e rrallë,” tha zëdhënësi i qeverisë Emmanuel Andre, duke shtuar se vdekja e saj “na tronditi të gjithë”.
Vajza kishte pasur ethe për tre ditë para vdekjes së saj, dhe pas testimit rezultoi pozitive me COVID-19, tha një zëdhënës tjetër, Steven Van Gucht.
Asnjë detaj tjetër nuk u dha në lidhje me rastin e saj, përfshirë edhe pikëpyetjet nëse ajo kishte ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Kjo ishte vdekja e parë e një fëmije të infektuar me koronavirus në Belgjikë, e cila tani ka regjistruar gjithsej 705 vdekje nga epidemia, sipas numrit të fundit zyrtar.
Të premten, Belgjika zgjati masat e izolimit me dy javë deri në 18 prill për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Shkollat, restorantet dhe shumica e dyqaneve janë të mbyllura, hyrja në supermarkete është e kufizuar për të lejuar hapësirë për distanca sociale dhe njerëzve u është thënë që të punojnë nga shtëpia.
Deri dje, evropiani më i ri që vdiq nga sëmundja vdekjeprurëse ishte Vitor Godhino, një djalë 14-vjeçar nga Portugalia.
Pak ditë më parë ndërroi jetë edhe një adoleshente në Francë. 16-vjeçarja nuk vuante nga asnjë problem tjetër mjekësor.
/Daily Mail