Nga Ervin Lera*

Dje m’u desh të dal dhe, duke nxituar të mbaroj atë që kisha për të bërë, vura re se në orën 1600 rrugët u pushtuan nga njerëzit që nuk ktheheshin nga puna. Pashë edhe blindat e ushtrisë në Rrugën e Barrikadave, por u tremba më shumë nga grupet me nga pesë apo gjashtë njerëz që qeshnin dhe lumturonin nga ribashkimi.

Sapo dola nga shtëpia, gjëja e parë që pashë në cepin e trotuarit ishte një polic duke bërë muhabet serbes serbes me pesë të tjerë. Nxitova të shmang kontaktin me këtë grup të parë të të babziturve për jetën në bashkësi edhe në këtë moment kur mjekët e të gjithë botës, më shumë po lodhen duke këshilluar RRINI NË SHTËPI, SHMANGNI KONTAKTET…, sesa duke u përkushtuar me mish e shpirt në shërbim të të gjithë atyre që po vuajnë nga fuqia atomike vrastare e spërklave që përhapin mortjen e mallkuar që ka rënë në të gjithë botën.

Kur u ktheva i djersitur nga nxitimi, sepse vrapova për të ardhur në shtëpi mendova:

Është akoma shpejt dhe nuk e kemi kuptuar si dhe sa duhet se çfarë na kërcënon. As mjekët e gjithë botës akoma nuk dinë t’a perkufizojnë saktë. Nuk ka një medikament që mund të lehtësojë dhimbjet dhe vuajtjet, të paktën ende jo. Ka vetëm një këshillë që po zëvendëson të gjitha rregullat dhe ligjet e globalizmit. RRINI NË SHTEPI, SHMANGNI KONTAKTET.

Rrimë në shtëpi, shmangim kontaktet, lajmë duart, ajrosim shtëpinë dhe kur vete ora, të gjithë dalin në pikë të vrapit, duke lënë takime me shoqninë, mbushin rrugët e bulevardet, trotuaret , bordurat, stolat dhe nga tre, katër apo pesë, mblidhen grupe grupe, qeshin me të gjitha mesazhet, fotot dhe videot që kanë shkëmbyer gjatë ditës, duke u gajasur.

Nxjerrin nga goja spërklat vdekjeprurëse të padukshme, por me një fuqi atomike vrasëse, ndoshta (larg qoftë) infektojnë njëri – tjetrin dhe, kur afron ora që duhet të kthehen në shtëpi, pa u ngutur fare, pa e prishur terezinë fare, a thua se nuk kanë nxituar kurrë në jetët e tyre, me përtesë marrin rrugën për në shtëpi.

Ndonjë makinë e bashkisë kalon pranë dhe nga altoparlanti përsërit: RRINI NË SHTËPI, SHMANGNI KONTAKTET… Asnjë nuk ja var. Ka edhe nga ata që lëshojnë ndonjë batutë duke shpërndarë në ajër dhe drejt grupit të vet të shëtitësve spërklat vrasëse duke infektuat (larg qoftë) një ose të gjithë grupin.

Askush nga ne nuk e di është apo jo i infektuar dhe, sipas mjekëve të gjithë botës, kushdo mund të jetë i infektuar dhe një rrezik serioz për këdo, të cilit i afrohet, prandaj, mjekët e gjithë botës, këshillojnë pa u lodhur, pa rreshtur dhe pa u mërzitur aspak, RRINI NË SHTËPI, SHMANGNI KONTAKTET…

Të gjithë këta që vrapuan për të dalë, kur kthehen në shtëpi, përshëndeten me familjarët dhe, duke u përshëndetur lëshojnë në ajër, në një mjedis të mbyllur e të populluar familjar, spërklat me fuqi atomike vrasëse dhe shndërrohen në rrezikun vdekjeprurës të nënës, babait, motrës, vëllait, fëmijëve të vet (larg qoftë).

Na ka rënë një mallkim, ose, na ka rënë një barrë, ose na ka rënë një “detyrim” i imponuar, që të gjithë, pa dëshirë të shndërrohemi në vrasës. Duket shumë e tmerrshme, shumë çnjerëzore, shumë satanike, por vërtetë jemi vetëm një spërkël larg të qënit vrasës i nënës, babait, bashkëshortes/bashkëshortit, fëmijëve tanë ( larg qoftë) dhe i vetmi detyrim, përgjegjësi, e drejtë, kontribut, mundësi që kemi është RRINI NË SHTËPI, SHMANGNI KONTAKTET…

Jemi vetëm në fillim të këtij tmerri pothuajse apokaliktik (larg qoftë) dhe, kemi nisur të dorëzohemi. Nuk po mundemi ta përballojmë dot dhe duam të dalim. Është më shumë se e sigurtë që është shumë shpejt ende, por nuk na mjaftojnë informacionet e llahtarshme, që askujt nuk i mungojnë sot, nga e gjithë bota, për vuajtjet dhe humbjet që shkaktohen nga spërklat me fuqi atomike vrasëse dhe nuk bindemi e nuk bindemi se e vetmja mundësi zgjedhjeje dhe e të bërit është, RRINI NË SHTËPI, SHMANGNI KONTAKTET.

Është më shumë se e sigurtë që ende nuk kemi patur kohën dhe nuk ka ardhur momenti të mendojmë, a do të dalim dot apo jo nga kjo situatë?, nëse do të dalim nga kjo situatë, si do të dalim?, më të pamundur për të vazhduar?, a do jemi të fuqishëm mjaftueshëm për të vazhduar?, a do të dalim më të dobët nga sa ishim?, a do të dalim më të fortë nga sa ishim ( dhëntë Perëndia të jetë kështu).

E vetmja gjë e vërtetë që dimë, është se nëse do të dalim nga e gjithë kjo, do të jemi ndryshe. Do të mungojë një ose disa nga zinxhiri njerëzor që është dobësuar mjaftueshëm nga humbjet, dhimbjet dhe lëndimet që janë shkaktuar tashmë dhe, kjo nuk është pak.

E vetmja gjë që dimë është ajo që pa u lodhur, pa u merzitur së përsërituri, madje edhe pa u fyer nga refuzimi që vazhdon i bëhet, nga ata që nxitojnë të qeshin me mesazhet që kanë shkëmyer gjithë ditën,është ajo që bëjnë mjekët e gjithë botës. RRINI NE SHTEPI, SHMANGNI KONTAKTET.

*Regjizor