Nga Frrok Çupi/
Na ra kjo ‘mur tajë’ virusi dhe u pa kush ishte kush
Ata që shkuan në botën e amëshumeme, ata janë tjetër gjë, nuk po shikojnë më sa njerëz të ndryshëm lanë pas. Por këta që mbetën, këta i ndau e keqja duke i caktuar në vendet e veta: Ata që kanë lindur dhe rritur si njerëz ‘të poshtër’, ata patën rastin ta tregojnë veten para të gjithëve.
Të tjerët, që qëndrojnë ‘të epërm’, ata janë duke u ‘shkëlyer’ në luftë për të shpëtuar jetë njerëzish: Mjekë, policë, infermierë, qeveritarë, njerëz të biznesit, fëmijë para prindërve dhe prindër para fëmijëve…
Këtu mes nesh si shqiptarë, kemi përdorur një aforizëm madhështore ‘Ra ky mort e u pamë!’. Disa njerëz e kanë marrë sikur ‘u pamë në mort, se kishim kohë pa i dhënë dorën njëri tjetrit!’. Jo, jo nuk është kaq banale, aforizma e kombit tonë është e thellë, sa ç’është vetë kombi dhe eksperienca e hidhët e tij. Kombi i ka parë njerëzit e poshtër në pasqyrën e ditës së keqe, në ditë zie, në ditë zjarri, në ditë urie, në ditë vde kjeje dhe sëmundjeje. Ky është ekrani që zoti e solli në Tokë para çdo interneti për të ndarë njerëzit në dy llojet.
Tani jemi në sëmundjen vde këse të virusit të panjohur ‘corona’, që larg!, mund t’i lërë familjet përgjysmë, ose vetë kombin në shterje. Janë prerë, domosdoshmërisht, lidhjet me botën, mes qyteteve, mes familjeve, mes të diturës dhe të panjohurës. Një gjendje e rëndë!
Këta që po krenohen nëpër skuta, në këto ditë asfiksie njerëzore, këta erdhën ‘në mort’ dhe dëshmuan se janë të poshtër. Disa po presin të marrin pushtetin mbi numrin e madh të kufomave, disa po ‘ankohen’ se po shkelen të drejtat demokratike duke ‘ngrirë’ lëvizjen e virusit përmes lëvizjes së njerëzve, disa thonë se ‘është mbushur Mali me Gropa’; disa se ‘janë mbushur spitalet’, disa përgjojnë te vrima e derës e spitalit ku vdiq pacientja e parë, të tjerë thonë se ‘një grip i thjeshtë është’. Nuk lënë ligësi pa thënë në facebook… Këta hapin fjalë dhe kryejnë akte që u presin krahët të gjallëve dhe të epërmve.
Kombi ka histori të gjatë dhe besoj ‘të pashoqe’ me vendosjen e ‘të poshtrës’ dhe ‘të të epërmes’ në vendin që i takon. Por e kurseu ‘të poshtërën’ edhe për njerëzit e llojit; asnjëherë nuk iu drejtoi gishtin një për një. Historia emërtoi botërisht me ‘të epërm’ dhe ‘të poshtëm’ fshatra, lagje, ara, rrëpira, male…, por jo individë.
Ka ‘Kthellë e Epërme’ në Mirditë, por nuk ka ‘Kthellë e Poshtme’; sepse historia nuk e bën këtë- që të vërë gishtin mbi disa banorë se kanë fshat ‘të poshtëm’. Ka Poshnjë në Berat (atje poshtë), por nuk ka mbi krye një ‘të epërm’ se atëherë do të krijohej konflikti. Ka bjeshkë të Namuna, por ka edhe ‘mali i Diellit’ dhe ‘Guri i Nuses’. Bjeshka e Namun, kur mori këtë emër mallkimi, kishte kryer një akt të kobshëm- me siguri- kundër jetës së njeriut, njësoj si morti ku dallohen i poshtëri dhe njeriu tjetër, por atje nuk jeton njeri…
Pse e ka kursyer kombi individin e tij, edhe pse e ka ditur se është ‘njeri i poshtër’?. Ky është edhe diskutimi shumë i gjerë që zhvillohet e vdes mes nesh. Sigurisht që është një mirësi e kombit që ‘mallkimin ia lëshon malit’ e jo njeriut, dhe kjo është një gjenialitet. Por kombi shpesh ka ngecur para njerëzve të këqij e nuk ka mundur t’i çmontojë e të zhvillohet. Fajtori është te qeveritë që ka zgjedhur kombi; këta janë krijuar jo vetëm për të izoluar ‘Virusin’, por edhe njeriun e poshtër. Askush nuk të hip në kurriz, nëse ti nuk përkulesh para tij- thotë populli ynë.
Po pse bëhen ‘të poshtër’ në ditën më të keqe? Për dikë- dikë, dita ‘e keqe’ jotja, është ‘ditë më e mirë’ për atë. Si kësaj here, kur kombi ka shkuar në reanimacion për shkak të një virusi nga bota… I ligu (i sëmuri) është gati të pranojë edhe marrëveshjen më të keqe. Shumë politikanë mes nesh që kanë sunduar, kanë grabitur, kanë rrënuar e kryer krime, këta e kanë prapë gati kontratën për ditën e ‘mortit’. Ata duan prapë të bëhen ‘Zotër’, por në ditë të mirë nuk munden; ata pse nuk bëhen dot zotër nuk bëhen dot as njerëz. Presin një jetë për t’u ngjitur në majën e halleve të popullit; jo me qëllim që të shikojnë jetën e zorshme të njerëzve, por që populli t’i shikojë këta në majë…
Historia ka pagëzuar mijëra herë më shumë me emra ‘të epërm’, edhe pse njerëz të poshtër bëjnë më shumë dëm.