Mjeku Pëllumb Pipero është shprehur i alarmuar nga sjellja që shqiptarët po shfaqin në këto ditë që u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi. Ai ka nxjerrë në “Facebook” një foto të një grupi qytetarësh që janë mbledhur në tarracën e pallatit. Sipas Piperos, rreziku për t’u infektuar është po i njëjtë.
“Nuk dua t’ju besoj syve! Kjo nuk është foto e bërë nga unë, sapo më erdhi nga një qytetar, i cili shkruan “ju thoni qëndroni në shtëpi, ata hipin në tarracë”! Për mua është e pabesueshme. Nuk mund t’ju besoj syve që qytetarët të mblidhen në tarracat e pallateve, a thua aty nuk infektohen nga virusi, ndërkohë që virusi mund të jetë midis tyre, secili nga ata mund të jetë i infektuar, dhe edhe pa simptoma trasmetohet nga njeri person te tjetri. Pse duhet kjo sjellje, pse vallë gjithë kjo indiferencë dhe shpërfillje ndaj një epidemie si kjo, që po merr mijëra jetë njerëzish në pak ditë, dhe jo larg, por në Italinë fqinje.”
Pëllumb Pipero kërkoi edhe një herë nga qytetarët që vetëm të qëndrojnë në shtëpi sepse në rast të kundërt kjo luftë nuk fitohet dot.
“Pse duhet vallë të përjetojmë një skenar si ai i Italisë fqinje kur e kemi në dorë vetë ta parandalojmë, dhe shumë thjesht. Vetem duke qëndruar në shtëpi. Kaq pak duhet nga ju të dashur qytetarë! Vetëm kaq, të qendroni në shtëpi. Dhe kjo është shumë për ne, është ndihma më e madhe dhe e vetme që mund të na jepni. Qëndrimi në shtëpi është e vetmja mundësi dhe armë që kemi në dorë për të ulur vrullin e kësaj epidemie, për ta ndalur e përballur atë. Ndryshe skenari italian nuk është larg. Vetëm ne mjekët nuk mundemi, me ju ja dalim!”