Nga Skënder Minxhozi/

Kompania celulare në të cilën është regjistruar kreu i opozitës Lulzim Basha, sqaroi publikisht se mesazhi i dërguar nga numri telefonik i zotit Basha, drejt një moderatoreje televizive, ishte i hakuar. Pra i nisur nga platforma elektronike të përdorura nga persona të tretë, e jo nga vetë Basha. Sqarim i plotë dhe ezaurues. Shumë më mirë kështu, sepse ai mesazh qe krejt i palavdishëm dhe i pavend, për një politikan të formatit të Lulzim Bashës.

Megjithatë problemi i sjelljes së kryetarit të opozitës dhe i partisë që drejton në këto orë të një krize krejtësisht të pazakontë, nuk përmblidhet në aktin e piratimit të një sms-je. Është më i madh se kaq. Mbrëmë Rama polemizoi me opozitën, në lidhje me faturën e propozimeve të saj financiare për të përballuar krizën e koronavirus. Sipas tij opozita propozon shpenzime që kalojnë dukshëm masën e një miliard dollarëve. Ai thotë se opozitarët kanë folur e shkruar me përafërsi e pa asnjë kalkulim egzakt, për shifrat e paketës së ndihmës. Një paketë në logjikën e “7×7=42”, për të cituar sërish kreun e opozitës.

Lulzim Basha, që zakonisht ka provuar se ruan çdo lëvizje, deklaratë apo polemikë të Edi Ramës, këtë radhë nuk reagoi. Një ditë më pas, PD nxorri një përfaqësuese që bënte kritikën e paketës së qeverisë, por jo avokatinë e paketës së vet.

Ndërkohë që miliona njerëz në Evropës, Amerikë e kudo tjetër, po mbyllin qepenat brenda shtëpive të tyre, opozita zyrtare në Tiranë e ka parë këtë akt të detyrueshëm vetëmbrojtjeje (të vetmin, kundër kësaj pandemie), si një akt dhune të qeverisë mbi popullin dhe atë vetë. Ish-deputetë të PD e përfaqësues të saj, sfidojnë çdo ditë me shkrim në rrjetet sociale (pa guxuar megjithatë ta bëjnë në praktikë), se s’duan t’ja dinë për ndalim-qarkullimin, se do dalin sa herë t’u teket nga shtëpitë, pa harruar gjithfarë mallkimesh e sharjesh ndaj atij që sipas tyre ka ideuar këtë skenar kataklizmik. E gjitha kjo, teksa shtetet perëndimore kanë nxjerrë ushtritë, për të boshatisur rrugët e qyteteve.

Reagimi i opozitës ndaj privacioneve që ka imponuar pandemia e koronavirusit, i ngjan në mënyrë groteske një proteste për shkeljen e s’dihet çfarë të drejte a lirie qytetare a politike. Të mësuar me gogolin e kryeministrit të gjithëfuqishëm, të cilin e kanë ndërtuar po vetë, opozitarët po mundohen të na bindin se Rama na ka mbyllur brenda, se po na dend me fjalor lufte dhe mesazhe të errëta, se po e bën këtë që të bëhet mbret e të na shkelë me këmbë. Në epokën e informacionit global, është fare e lehtë të krahasosh “sulltanin” e Tiranës, me atë që bëjnë kryetarët e tjerë të shteteve përreth: nga Italia e deri në Kaliforninë e largët, ku sot u urdhërua mbyllja nëpër shtëpi e 40 milion banorëve të shtetit më të madh të SHBA!

Përballë kësaj teoreme boshe e pa vlerë, le të shohim një element me shumë peshë dhe që ka një efekt therës në ambjentin e traumatizuar shqiptar. Është e dyta krizë madhore që po kalon ky vend, pas 26 nëntorit, që opozita shqiptare ndodhet praktikisht në rrugë, jashtë institucioneve dhe pa asnjë tagër formal përfaqësimi në dorë. Dy krizat më të mëdha që ka përjetuar në poltronin e kryetarit të PD, Basha i ka konsumuar si i vetëpërjashtuar nga institucionet e shtetit ku jeton dhe ku garon për t’u bërë i pari i vendit.

Nëse ka një reflektim politik për të bërë sot për situatën politike që ka gjetur tërmeti i nëntorit dhe koronavirusi i marsit, ky është konkluzioni më i rëndësishëm e njëherësh më dëshpërues. Të paktën në këtë aspekt Ilir Meta është një opozitar më korrekt!