Aventurës së Borja Valeros dhe Matias Vecinos te Interi po i vjen fundi. Të dy futbollistët ishin pjesë e rëndësishme e formacionit të Spalletit te skuadra zikaltër, por me uljen e Antonio Conte në panikinën e milanezëve, asnjë prej tyre nuk shihet si i përshtatshëm dhe janë aktivizuar nga tekniku puljez vetëm në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje të tjera, ndaj në fund të sezonit mund të vijë edhe lamtumira.
Mesfushorit spanjoll në fakt i përfundon kontrata në qershor dhe te Interi nuk kanë ndërmend t’i ofrojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi, duke qenë se vitet mbi supe po i peshojnë shumë dhe nuk është në gjendje të përshtatet me kërkesat impenjative të Contes.
Sa i përket mesfushorit uruguaian Vecino, Conte nuk e ka në planë për sezonin e ardhshëm dhe zikaltrit janë në pritje të ofertave, për të përfituar sadopak nga shitja e tij dhe për të investuar në emra që pëlqehen nga tekniku i Interit.