Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë një inspektimi që bëri sot në disa tregje të Tiranës, për të parë nëse zbatoheshin masat kundër COVID-19, u has me dy probleme, të cilat ia adresoi për zgjidhje ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Në një komunikim me disa prej ministrave të kabinetit të tij qeveritar, Rama porositi LLeshajn që policia të veprojë në rastet kur shohin pensionistët në rrugë. Ai theksoi se këta të moshuar nuk duhen lënë kurrsesi të dalin nga shtëpi.

Po ashtu ai tha se problem tjetër ngelet dhe ecja dyshe në rrugë, ndërsa theksoi se do të ketë gjoba për këtë, madje këmbësorëve do u bllokohet dhe makina. Kreu i qeverisë tha se këtë masë tashmë e kopjoi dhe Italia.

“Dola sot me drejtuesit e policisë. Pash pak situatën. Situata është goxha më mirë në tregje. Kemi dy probleme që duhen adresuar me urgjencë. Pensionistët duhet të kthehen në shtëpi. Kemi folur dhe me ministren e Mbrojtjes dhe atë të Shëndetësisë për të targetuar shërbimet për pensionistët. Për pensionistët kryefamiljarë, u duhet shërbyer nga ne. Të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët. Policia duhet të kthejë mbrapsht çdo të moshuar në shtëpi. S’ka; ‘obob’, ‘u më pe’. Pensionistët duhen kthyer nga rruga. Makinat e policisë që bëjnë mbikëqyrjen, s’duhet të vazhdojnë rrugën kur shohin një pensionist, por t’i thonë; ‘xhaxhi në shtëpi’. Problem tjetër që shoh është ecja bashkë. Është e ndaluar, është e e rrezikshme. Duhet të ecin tek e tek. Mund të jeni burrë e grua! Por po vazhdoi kështu, do martohen të gjithë bashkë, edhe burri me burrin. Po ecet bashkë, gjobiteni! Atyre këmbësorëve që kapen duke ecur në rrugë pas orarit, do gjobiten dhe përveç kësaj do i bllokohet makina. Na e kopjoi dhe Italia para dy ditësh këtë masë. Dmth e mori këtë masë.”, tha Rama.