Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bërë një urim special me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas, ndërsa është ndalur “tek gratë dhe vajzat e harruara, të cilave nuk ua dimë as emrin, as përpjekjen dhe as mundin, por që kanë një kontribut të pamohueshëm në shoqëri”.
Në mesazhin e tij Bushati shprehet se sot do të përgëzojë dhe inkurajojë ato gra dhe vajza që nuk përkulen, nuk pranojnë që të shërbejnë si fasadë e burrave në politikë, sipërmarrje apo medie duke zgjedhur me vendosmëri rrugën e mundimshme të suksesit në shoqëri.
Mesazhi i plotë i Bushatit:
Për gratë dhe vajzat agjentë të ndryshimit!
Në mesazhin tim vjet për 8 Mars u ndala tek gratë dhe vajzat e harruara, të cilave nuk ua dimë as emrin, as përpjekjen dhe as mundin, por që kanë një kontribut të pamohueshëm në shoqëri.
Sot dëshiroj të flas për gratë dhe vajzat që janë agjentë të ndryshimit dhe model frymëzimi në shoqëri.
Shoqëria jonë njeh shembuj suksesi të grave dhe vajzave në sipërmarrje, politikë, sport, art, shkencë dhe edukim.
Po ashtu ka qindra histori të patreguara për gra dhe vajza që me kurajë përballojnë presionin në forma nga më të ndryshmet dhe ja dalin të kthehen në modele për shoqërinë, edhe në mjedisin e tyre, duke frymëzuar një shoqe, një kolege, e kështu me radhë.
Sot, dua të përgëzoj dhe inkurajoj pikërisht këto gra dhe vajza që nuk përkulen, nuk pranojnë që të shërbejnë si fasadë e burrave në politikë, sipërmarrje apo media duke zgjedhur me vendosmëri rrugën e mundimshme të suksesit në shoqëri.
Gratë e vajzat që nuk e pranojnë dhunën e diskriminimin. Refuzojnë! Denonciojnë!
Gratë dhe vajzat e gjeneratës së re që nuk pranojnë kthimin e orës mbrapa.
Për ato që nuk bëjnë kompromis, dhe nuk pranojnë të jenë thjeshtë dhe vetëm numra, e as statistikë.
Ne, kemi bërë përparim në lidhje me barazinë mes burrave dhe grave, por ende kemi një rrugë të gjatë përpara.
Barazia mes burrave dhe grave është para së gjithash një detyrim moral. Është gjithashtu një nevojë e ngutshme ekonomike. Një shoqëri nuk mund t’ia lejojë vetes të funksionojë me gjysmën e mendjes dhe zemrës.
Ndaj, ne duhet të bëjmë më shumë për të mbyllur hendekun në trajtim mes burrave dhe grave në paga e karrierë. Të vendosim ekuilibrin e duhur midis punës dhe jetës së tyre private, që kujdesi për fëmijët e familjen të jetë proporcional, e të mos i penalizojë gratë në rrugën e tyre të karrierës.
Shoqëritë e emancipuara dallohen nga mënyra sesi e trajtojnë gruan. Emancipimi i shoqërisë nuk vjen vetëm nga politikat e orientuara nga lartë poshtë. Na duhet të punojmë për një model të ri që trajton burimin e pabarazisë.
Për më tepër, aktet e dhunës ndaj grave dhe vajzave që kanë tronditur opinionin publik tregojnë se ka ende forca që duan të na kthejnë pas. Duan ta tërheqin progresin drejtë një mentaliteti të vjetëruar patriarkal.
Është koha që të angazhohemi me mish e shpirt në mënyrë që të sigurohemi që gratë dhe vajzat nuk do të jenë viktima të kësaj dhune shtazarake.
8 Marsi duhet të shërbejë si një moment rigjallërimi në betejën për barazi në trajtim mes burrave dhe grave për të shtuar rastet e suksesit të grave dhe vajzave në shoqëri.
Mbrojtja dhe përparimi i të drejtave të grave duhet të jetë në themel të veprimit tonë politik e shoqëror, pasi nuk mund të ketë një familje të shëndoshë e të lumtur pa siguruar barazinë dhe ekuilibrin mes burrit dhe gruas.
Ne nuk mund të mjaftohemi me faktin se e kemi shtëpinë tonë në rregull!