Nga Artur Ajazi
Nga Artur AjaziEdhe pse u përpoqën të dalin në “krye” të detyrave dhe të duken si “shpëtimtarë” të shqiptarëve, Ilir Meta dhe Lulzim Basha nuk arrijnë të bëhen dot protagonistët realë dhe seriozë të kësaj situate, nëpër të cilën po kalon edhe Shqipëria. Eshtë vërtetë që ndodhemi para një situate serioze për shëndetin e popullatës, një situatë e cila në rast se Edi Rama nuk do të kishte reaguar me urgjencë dhe me masa rradikale, duke angazhuar gjithë shtetin mund të ishte përkeqësuar maksimalisht.
Shpejtësia me të cilat kryeministri vendit, ndërmori masat ekstreme, vendosmëria me të cilën ai u imponoi shqiptarëve të kryenin detyrimet dhe detyrat e paracaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, vëmëndja me të cilën ai dëgjonte dhe implementonte këshillat e specialistëve të fushës, e kthyen shumë shpejt zotin Rama, në shpresë dhe besim për çdo qytetar ende të painformuar dhe të pabindur deri dje. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi të vetmit që dolën me “hunj” për të penguar Edi Ramën në masat e tij radikale, duke pretenduar madje se “po privonte qytetarët nga liria e lëvizjes” ishin ata që edhe në ditët e një situate të jashtëzakonshme ti “qante” zemra për pak pushtet.
Ç’nuk bënë ata në fillim, dhe ç’nuk po trazojnë ata sot e kësaj dite, pavarsisht se hiqen sikur janë “bashkë me qeverinë” apo se “mbështesin mobilizimin dhe masat e marra nga Rama”. Duke mos patur rrugëdalje tjetër, dyshja Ilir dhe Lulzim, nisën “gërshetimin” e rregullt mes tyre të “kërkesave dhe ankesave” ndaj qeverisë, pasi u “qante” zemra për popullin. E ndërsa njëri kërkonte “të mos paguhet uji, dritat, taksat, tatimet”, tjetri kalonte tek kërkesa tjetër “për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare”.
Dhe më në fund, ja dhe KSK-ja u mblodh. Iliri donte të bëhej pak “protagonist”, të mbahej mënd, se edhe ai bëri diçka kur ishte kriza e virusit, dhe nuk qëndroi në bunker. Por duket se fati, dhe më shumë se kaq, Zoti, e ka paracaktuar se ky vend, do të ketë gjithmonë protagonistin e vet, njeriun e duhur në situata e gjendje të jashtëzakonshme.
Për shqiptarët, duket se Edi Rama, mbetet njeriu i duhur, apo “gjetja” e paracaktuar që në ditët e hallit të madh, tregoi se ka aftësi të çmuara të mposhtë të keqen dhe frikën e shqiptarëve, se po tregon se ka aftësi tu heqë shqiptarëve barrën dhe stresin, duke rizgjuar tek ata sensibilizimin, solidaritetin, dashurinë për njëri-tjetrin, duke rritur shpresën dhe besimin, se fitorja mbi të keqen është e padiskutueshme. Askush në këtë vend, nuk e beson edhe sot e kësaj dite, se Lulzim Basha dhe Ilir Meta do të kishin bërë atë që ka bërë, dhe po vazhdon të bëjë, çdo orë dhe çdo ditë Edi Rama për shqiptarët, njeriu që nuk vuan për “protagonizëm dhe heroizëm”, por thjesht për të bërë mrekullinë për vendin