Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Dioqezës Katolike për të pezulluar të gjitha ritualet kishtare deri më 3 prill, si një masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

“Do të ketë tërmete të butë e të egër, e në vende të ndryshme sëmundje që janë ngjitëse e dërmuese dhe do të ketë pamje tmerri, po edhe shenja të mrekullueshme nga qiejt”, thotë Bibla e Shenjtë. Respekt, respekt, respekt për komunitetin katolik, që vendosi të anulojë të gjitha ritualet kishtare, duke dhënë një mesazh kuptimplotë për të gjithë popullin shqiptar. Edhe nisja e të martave të shenjta të Shën Ndojit që mbledhin nga të katër anët dhjetëra mijëra besimtarë, këtë herë nuk do të bëhet në truallin e bekuar të kishës së laçit, po në tempullin e shpirtit të çdo besimtari, që në këtë kohë lufte duhet të lutet në shtëpi për shenjat e mrekullueshme nga qiejt”, shkruan Rama.