UEFA dëshiron të bëjë ndryshime në sezonin e ardhshëm, në mënyrë që ta përfundojë sezonin aktual në gusht, dhe kështu t’i lehtësojë dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia koronavirus.

Gazeta angleze “The Times” shkruan se organi qeverisës i futbollit evropian është duke planifikuar ta përfundojë sezonin aktual gjatë verës, por për ta bërë këtë i duhet të gjejë zgjidhje për t’i kufizuar implikimet për sezonin e ardhshëm, transmeton Gazeta Express.

Sezoni i ardhshëm duhet të përfundojë në maj, pasi Kampionati Evropian 2020 u shty dhe u vendos të luhet pikërisht verën e ardhshme, në muajt qershor dhe korrik 2021.

E përditshmja angleze shkruan se UEFA shpreson se do të takohet për të biseduar rreth mënyrës sesi t’i përshtat garat e sezonit të ardhshëm dhe si ta përfundojë sezonin aktual 2019/20. Ndër hipotezat për diskutim është edhe shkurtimi i numrit të ndeshjeve të Kombëtareve për përgatitje për Kampionat Evropian, në mënyrë që t’i hapet rrugë një orari më intensiv të ndeshjeve në ligat evropiane.