Në Bashkinë e Dibrës vijon shpërndarja pensioneve për 20 300 pensionistë nga Dega Postare e Dibrës. Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, tha se janë rreth 20 300 pensionistë që po u dërgohet nga posta pensioni në shtëpi. “Ashtu si edhe në Bashkitë e tjera, Bashkia e Dibrës ka dy ditë që po punon për të identifikuar pensionistët që jetojnë vetëm dhe nuk mund tërheqin nga posta pensionin, duke ja bërë të mundur dhënien e pensionit në shtëpi. Kjo për ti minimizuar lëvizjen pensionistëve si shtresa më vulnerabël sa i takon koronavirusit të ri. Në total janë 20 300 pensionistë që shërbehen në shtëpi” ,- tha Shehu për ATSH.

Qeveria Shqiptare ka vendosur që në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID 19, të ngarkojë Bashkitë të identifikojnë numrin e pensionistëve që janë në asistencë dhe personave me aftësi të kufizuar për t’i furnizuar ato me ushqime dhe asistencën e nevojshme, gjatë kësaj periudhe të kufizimit të lëvizjes. Po ashtu ka vendosur që pensionistëve që jetojnë vetëm ti dërgojë pensionin në banesë.