E përditshmja britanike, DailyMail, raporton se Premierliga synon ta rinisë kampionatin në javën e parë të majit me ndeshje prapa dyerve të mbyllura, në mënyrë që sezoni të përfundojë para 12 korrikut dhe të shpëtohen 850 milionë euro nga kontratat për shitjen e të drejtave televizive.
Sezoni 2019/20 në botën e futbollit është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur mbi 550 mijë njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur mbi 25 mijë, transmeton Gazeta Express.
Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.
Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20. Megjithatë, nuk dihet se a do të munden klubet ta realizojnë planin e UEFA-s për t’i përfunduar sezonet deri më 30 qershor, për shkak se situata nuk është përmirësuar dhe futbollistët vazhdojnë të ndihen të rrezikuar nëse vendoset të rinisin së shpejti ndeshjet.
Përkundër kësaj, DailyMail raporton se Premierliga ka vendosur t’u propozojë 20 klubeve pjesëmarrëse të premten ta rinisin kampionatin në javën e parë të majit dhe t’i zhvillojnë ndeshjet prapa dyerve të mbyllura, pasi që në këtë mënyrë do t’i shpëtonin 850 milionë euro që vijnë nga kontratat për shitjen e të drejtave televizive.
Këto kontrata me kanalet e ndryshme skadojnë më 31 korrik dhe Premierliga me këtë plan po tenton ta përfundojë sezonin para kësaj date, në mënyrë që të mos i humbë këto para.
Mirëpo, para se të praktikohet, ky plan do të duhet të miratohet edhe nga qeveria britanike, autoritetet e shëndetit botëror dhe Shoqata e Futbollistëve Profesionistë.