Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin beson se futbolli anglez duhet ta ndjekë shembullin e Francës dhe t’i japë fund Kupës së Ligës, të njohur si Carabao Cup në Angli. Carabao Cup – e themeluar në vitin 1960 – është dytësore ndaj FA Cup sa i përket prestigjit në futbollin anglez, pasi që shumë klube edhe vendosin të luajnë me rezerva e lojtarë të rinj në ndeshjet e kësaj gare. Manchester City i Pep Guardiolës e ka dominuar këtë garë duke triumfuar në tre sezonet e fundit, mirëpo shumë trajnerë të ekipeve të tjera janë ankuar se kjo garë vetëm sa po ua ngarkon edhe më shumë agjendën e ndeshjeve.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e dërgoi një ekip me vetëm rezervistë në çerekfinalen kundër Aston Villas për shkak se ishte i përkushtuar në Kupën e Botës për Klube, e madje edhe rolin e trajnerit e luajti trajneri i ekipit U-23. Finalja e këtij sezoni të Ligës së Kupës në Francës – mes Paris Saint-Germainit dhe Lyonit, muajin e ardhshëm – do të jetë ndeshja e fundit e kësaj gare. Ceferin beson se do të ishte në të mirë të sportit nëse edhe Anglia e ndjek shembullin e Francës. “Kupa e Ligës tashmë ka marrë fund në Francë. Vetëm Anglia mbetet. Mendoj se të gjithë e dinë që do të ishte më të mirë për të gjithë nëse ajo garë nuk do të zhvillohej më”, ka thënë Ceferin, në një intervistë të dhënë për The Times. “Por, problemi është se shumë klubet financohen përmes ndeshjeve që i zhvillojnë me klubet më të mëdha në këtë garë, kështu që unë e kuptoj problemin. Anglezët janë gjithashtu pak tradicionalë, atyre u pëlqejnë gjërat që kanë qenë aty që shumë vite”.