Nga Mero Baze
Presidenti i Republikës bëri publik njoftimin se ka dalë negativ, pas testit të koronavirusit që paska bërë pesë ditë më parë, pas dyshimeve se ka takuar dike, që më pas ka rezultuar i prekur nga virusi.Lajm i mirë është që ka dalë negativ, por lajm i keq është pabarazia e një autoriteti të lartë shtetëror para protokollit shëndetësor, për të cilin është rënë dakord të aplikohet në këtë kohë krize.Deri tani, sipas këtij protokolli, kur takon dikë që është i prekur apo vjen nga një zonë e prekur, duhet të hysh ne vetëkarantinë.Kështu ka bërë kryeministri i Greqisë apo personalitete të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë vendosur rregulla të ngjashme si ne. Ka vende që rekomandojnë teste për të gjithë. Këtë tek ne e rekomandoi Nazarko dhe më pas Berisha, njëri për arsye publicistike, e tjetri politike.
Shqipëria nuk e ka luksin të japë tamponë për këdo që ka frikë apo dyshime për kë ka takuar. Ne kemi vendosur si rregull se tamponin e merr pacienti që ka shenja sëmundje, pas dyshimeve se ka takuar njerëz të prekur.Presidenti rezulton se ka pasur vetëm frikë. Nuk ka pasur as shenja dhe as nuk është vetëkarantinuar, siç duhet të bënte në këtë rast.Biles është i paqartë dhe shpjegimi i tij, se në kë palestër ka qenë dhe kush është ky i sëmuri. Se kështu mund të shpikim të gjithë nga një arsye.Ky është një leksion i keq për mënyrën se si sistemi i shëndetësisë, reagon me kritere të ndryshme kur je qytetar, dhe kur je president.
Si Ilir Meta mund të ketë mijëra vetë të frikësuar në Shqipëri. Frika është ndjenjë njerëzore në këto raste, por thyrja e rregullave është çnjerëzore, pasi mund të ketë qytetarë që janë me shenja të sëmundjes, që nuk kapin dot 127 dhe nuk marrin dot tampon, ndërkohë që sistemi kuron frikën e presidentit.Mirë që e bën këtë shkelje, por së paku të mos e bënin lajm, se kështu nxisin një valë të paarsyeshme turmash, që njësoj si Ilir Meta mund të kenë frikë se kanë sëmundje, ngaqë kanë qenë në Itali, apo kanë qenë në vende të njëjta me njerëz të prekur.Por kjo, që edhe ka bërë testin si i frikësuar, dhe del e mburret që është testuar e ka dalë negativ, është tepër për një vend, që është nën terrorin e pamundësive të sistemit për t’i testuar të gjithë që kanë frikë.Lëre pastaj që presidentin e kanë ditur trim.