Videoja në të cilën Pogba vesh fanellën e Juventusit bëri që të ëndërrojnë tifozët e Juventus, të cilët gjithmonë kanë shpresuar për rikthimin e francezit në Torino. Diçka të tillë do ta donte shumë edhe Claudio Marchisio, ish-futbollist dhe tifoz i shkëlqyer bardhezi, mik i Pogba. I intervistuar nga “Tuttosport”, Marchisio tani zbulon një sfond të transferimit të mesfushorit te Manchester United: “Unë i thashë që po gabonte duke shkuar te Manchester United dhe se, nëse me të vërtetë do të dëshironte të ndryshonte, duhej të zgjidhte Spanjën. Kthimi i tij te Juventusi do të ishte jashtëzakonisht pozitiv, Paul do të rilindte në mjedisin që e do dhe e përkëdhel më shumë. Ai do t’i jepte shumë Juventusit, të cilit i duhet dikush si Paul në mesfushë. Ai është një profesionist i shkëlqyer”.
Marchisio mbron, gjithashtu, mesfushën aktuale të Juventusit, shpesh në fokusin e kritikave, sepse konsiderohet nga shumë si pika e dobët e skuadrës së Sarrit: “Kohët e fundit nuk kanë dalë mesfushorë të shkëlqyeshëm. Është çështje ciklesh. Sot, Juventusi ka elementët më të mirë në sulm dhe mbrojtje, por ka edhe një mesfushë të shkëlqyeshme. Ka qenë një repart fatkeq në këtë sezon, mes dëmtimeve dhe lodhjes. Pjanic mbarti gjithçka mbi supet e tij për muaj të tërë. Deri në janar, ai ishte shumë mirë. Mua me të vërtetë më pëlqen Bentancur, po rritet shumë”. Më në fund, “Princi” thotë fjalën e tij për ndalesën e gjatë të Serie A për shkak të koronavirusit: “Në Itali, Juventusi do të ketë një avantazh në krahasim me Lazio dhe Inter, sepse ka një grup të bollshëm lojtarësh. Skuadra e Inzaghi ishte duke kaluar një moment tejet pozitiv, në të vërtetë superpozitiv, çka jep gjithmonë energji shtesë, nga një lojë në tjetrën, duke mposhtur lodhjen dhe stresin. Ndalesa e kampionatit mund ta ketë lagur atë valë optimizmi”.