Alfred Peza
Të qëndruarit për disa ditë i mbyllur në shtëpi, për shkak të koronavirusit, nuk është si të presësh fundin e botës. Për rrjedhojë, nuk është aq tragjike sa po e përjetojnë disa, të cilët nuk po i mbledh dot brenda, as shtëpia e vet. Jam i sigurtë që mes atyre që sot qëndrojnë me stoicizëm jashtë, ka shumë që kur familjarët ua kanë kërkuar dikur që ta bënin, kanë refuzuar të dilnin nga shtëpia. Ndërsa sot që po i luten të ngujohen, nuk u binden, në shenjë rebelimi ndaj vetëvetes.
E gjitha kjo sjellje, më shumë se ka të bëjë me qasjen e njeriut që është i prirur të bëjë të kundërtën e asaj që i kërkohet, ka të bëjë ndoshta me tipologjinë e sjelljes së shoqërisë sonë. E cila dje nën diktaturë me hir e me pahir e uli kurrizin për 45 vite me radhë, ndërsa sot në liri një pjesë e saj po refuzon që të bëhet e gjitha bashkë qoftë dhe vetëm për disa ditë, përballë një të keqeje të jashtëzakonshme që po mer pa u ndalur, mijëra jetë njerëzore kudo nëpër botë.
Është kjo arësyeja se përse mbetesh pa tekst, kur i dëgjon nëpër media të shpikin njëmijë e një arëse për ti mbushur mendjen vetes, se kanë të drejtë që të vijojnë të rrijnë jashtë nëpër rrugë, parqe e lulishte dhe se koronavirusi ka të bëjë me gjithë njerëzimin, përveçse atyre vetë. Tregues ky se na mungon ende me sa duket si shoqëri, vetëdija e fortë e lirisë. Një vetëdije që formësohet brez pas brezi, e që spikat atëherë kur popujt kanë më shumë nevojë, për demonstrimin e saj.
Kjo bën që të gjesh po aq shumë shembuj dhe xheste të vetëdijes së lirisë individuale ose kolektive në diktaturë, sikundër sot shembuj të mungesës së vetëdijes shoqërore, në liri. Vetizolimi nga koronavirusi nuk është thjeshtë një masë që qeveria e ndërmer për të kufizuar lirinë e qytetarëve të vet. Por, më shumë sesa kaq, ai është një nga ato momente të rralla që shërben si një provë lirie, për secilin prej nesh në demokraci.
“Isha i burgosur për dy muaj dhe ishin ditët më të lumtura në jetën time”,- ka shkruar Salvador Dali për një situatë të ngjashme. E sigurtë është se këtë mund ta provojë gjithkush nga ne që po qëndron i mbyllur këto ditë në shtëpi. E sigurtë është se të njëjtën gjë do të provojnë edhe të gjithë ata, që ende mendojnë se lumturinë mund ta gjejnë përmes qëndrimit jashtë, duke rrezikuar që të fusin brenda kur të rikthehen, edhe virusin vrasës në familjaret e tyre.
Ata që po e refuzojnë sot në heshtje vetizolimin, me sa duket, nuk janë aq të lirë nga vetja tani në liri. E çështë më e keqja, as që duan ta pranojnë këtë. Dikush duhet ti rikujtojë se liria e tyre, mbaron aty ku fillon liria e të gjithëve ne për të jetuar. Nëse ata që e refuzojnë vetizolimin i gënjën mendja se këtë po e bëjnë sepse janë të lirë, duhet të kuptojnë se një njeri i lire sot, është vetëm ai që nuk mund të arratiset nga shtëpia e vet. Ata vërtetë mund të arratisen nga përgjegjësia për jetën e tyre, por kurrë nuk mund ti ikin edhe përgjegjësisë, për lirinë e familjeve të tyre dhe shoqërisë shqiptare!
Secili prej nesh duhet të mbyllet sot brenda në shtëpi, për një arsye të qenësishme: Për të ruajtur veten, të afërmit dhe të dashurit tanë nga rreziku që po endet pa u ndjerë mes nesh. Fqinjët tanë italianë, nuk kanë vuajtur nën një diktaturë komuniste si ne por e dijnë shumë mirë se çdo të thotë diktaturë e lirisë. Ndaj po e zbatojnë me përpikmëri, protokollin mjekësor të vetizolimit. Ndërsa një pjesë e shqiptarëve, nuk po mësohen dot, me të. Kur e mendosh që ne ia dolën ta gjenim lirinë edhe pas 45 vitesh diktaturë, duhet të ndërgjegjësohemi një orë e më parë, se nuk mund ta shpërdorojmë kaq fatalisht sot, lirinë për të jetuar.
Me sa duket, ata që nuk po arrijnë dot që të vetizolohen për shkak të koronavirusit, kanë frikë nga liria. Sepse siç thotë një shprehje e njohur “liri do të thotë përgjegjësi. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz e kanë frikë atë.” E ne të gjithë, duhet që ti ndihmojmë ata, që ta mbajmë sëbashku përgjegjësinë e përballjes me të keqen që po na kanoset!