Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në mbrëmje lajmin e mirë se një prej pacientëve të shtruar me COVID 19 është drejt shërimit.
“Një lajm i mirë. Kontakti i parë i pacientit zero që kurohet në spitalin infektiv doli negativ në testin e parë. Nëse edhe në testin e dytë pas 48 orësh ky rezultat do të konfirmohet, atëherë do të kemi të shëruarin e parë”,- thekson Kryeministri
“Të presim dhe të lutemi që zoti t’u japë forcë të sëmurëve dhe heronjve me bluza të bardha, në vijën e zjarrit me armikun. Durim, besim dhe durim, durim, durim! I Love you”,- thekson Rama.
Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se pacienti i parë i identifikuar me koronavirus, është drejt shërimit.
“Lajm i mirë”,- thekson Manastirliu. “Pacienti i parë që nis rrugën e shërimit nga COVID-19. Rezulton negativ kontakti i parë i pacientit zero që u identifikua me koronavirusin e ri në Shqipëri. Do të kryhen testime të tjera për të monitoruar gjendjen e pacientit! Bravo ekipit të spitalit infektiv”,- theksoi Manastirliu.