Në një komunikim në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se sa të rëndësishme janë masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kreu i qeverisë tha se kjo luftë fitohet vetëm duke u ndërgjegjësuar dhe duke u përshkallëzuar me masa të forta deri në ekstrem.
“Këto masa janë domosdoshmëri për të ruajtur Shipërinë nga përshkalëlzimi agresiv i koronës mbi të afërmit tanë”, tha Rama.Kreu i qeverisë tha se 80% e kalon koronavirusin pa shenja dhe pa e kuptuar. Edhe në 20%-shin tjetër, jo të gjithë bëhen për spital dhe humbin jetën. “Ne kemi në dorë ta lodhim derisa ta mundim”, – tha Rama.
“Kjo masë e skajshme për ta ngadalësuar shtrirjen e armikut në organizmat tona do të pasohet nga të tjera. Sot kemi ndërmarrë një sërë inspektimesh në kompanitë fason dhe call center, të cilat do të jenë të mbyllura nesër dhe deri në fund të këtij afati, por janë të detyruara të respektojnë të gjitha distancat teknike të sigurisë, dhe të gjithë elementët e sigurisë për çdo punonjës. Në rast se kur të fillojnë aktivitetin do të konstatohen se nuk kanë kryer detyrimet për të mbrojtur punonjësit, do të mbyllen dhe do të marrin përsipër kompanitë çdo kosto të kësaj mbyllje se në këtë rast është neglizhenca e tyre, dhe jo një mbyllje për një forcë maxhore, të paktën në këtë fazë të planit për zmbrapsjen e këtij armiku që na kërcënon”, tha Rama.