Shqipëria u rendit krenare mes vendeve Europiane, duke treguar vlerat e saj, ndonëse një shtet i vogël…gjesti i dërgimit të 30 mjekëve dhe infermierëve ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare dhe është vlerësuar maksimalisht, e mbi të gjitha nga vetë italianët.
Mesazhe falenderimi të pafundme kanë mbërritur nga mjekë, qytetarë, politikanë, por ky qytetar ka zgjedhur që t’i falenderojë vëllezërit dhe motrat shqiptare ndryshe, duke luajtur himnin kombëtar. Ai ka bërë një krahasim, të një miku që ka 1 euroshin e fundit dhe nuk nguron t’ia japë shokut që ndodhet në ditë të vështirë. Kështu është edhe historia e Shqipërisë. 30 mjekë dhe infermierë ndoshta nuk mund të ndryshojnë situatën në Italinë që lëngon nga koronavirusi, por përcjell mesazhin shumë të fortë.
Teksa shumë shtete të tjerë, mes tyre edhe superfuqi botërore, janë mbyllur brenda vetes në këtë betejë, Shqipëria e vogël në përmasa, por edhe ekonomi tregoi se ishte e madhe në shpirt. Në ballkon, me partiturën përpara, qytetari italian ka luajtur himnin shqiptar si një shenjë falenderimi, dhe këto nota të luajtura duken aq të bukura që të mbushin me krenari. Videoja është publikuar nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se është rrënqethur nga kjo video.
“Kam marrë me shumë kënaqësi e kthyer me po aq përunjësi falenderime, mijëra mesazhe nga Italia, që nga kryeministri, ministra e lider partish, senatorë, deputetë, tek njerëz të kulturës e të sportit dhe njerëz të panjohur, që kalonin sms e tyre përmes shqiptarësh në Itali, të cilët edhe ata më kanë shkruar pafund nga ana e tyre…
Por, kur më erdhi dorë pas dore mbrëmë vonë, kjo video e bërë në ballkon nga një qytetar italian, jam drithëruar fort dhe në pamundësi për t’ia dhënë dot drejtëpërdrejtë, falenderimin e thellë që meriton ky njeri i panjohur, jam i bindur se të gjithë ju, do të bashkoheni me mua, duke e ndarë me të tjerë këtë perlë të rrallë, derisa do Zoti i mbërrin në dorë me një #graziedicuoredalalbania, dikujt që e njeh këtë zotëri fisnik”, shkruan Rama.