Në mbështetje të nismës së qeverisë për të evituar daljet e pensionistëve nga shtëpia qoftë edhe vetëm për shërbime për blerje, për t’u mbrojtur nga koronavirusi Bashkia e Sarandës me ekipet e saj do t’u vijnë në ndihmë të moshuarve që jetojnë vetëm ose nuk kanë të afërm pranë. Konkretisht grupet e punës nga një për çdo lagje dhe fshat, të ngritura nga Bashkia e Sarandës me punonjës të saj, vullnetarë me suport, por edhe të strukturave të Policisë Bashkiake, kanë dalë në terren, shtëpi më shtëpi.
Fillimisht ata do të evidentojnë qytetarët pensionistë, të vetëm apo ata pa të afërm pranë në këto ditë të vështira, me qëllim marrjen e masave për asistencën e tyre në kryerjen e shërbimeve të nevojshme si blerja e ushqimeve dhe ilaçeve duke evituar daljen nga banesa dhe kufizimin në maksimum të lëvizjes së tyre. Shumë shpejt do të bëhet me dije edhe strategjia se si do të operohet jo vetëm për këtë kategori, por edhe për fashën me vulnerabël, atë të qytetarëve në nevojë që trajtohen në vijimësi nga Bashkia me asistencë sociale si dhe numri dhe personat e kontaktit për çdo lagje dhe fshat.