Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi sot se, pas bisedave me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Goran Grlić-Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Synimi i kësaj nisme, sipas Cakaj, “është mbajtja e mbledhjeve të rregullta në nivel të Ministrave të Jashtëm për të krijuar platforma të përbashkëta politike dhe zhvilluar projekte konkrete sipas interesave të përbashkëta”.

Cakaj informoi se “takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti dhe pastaj takimet e tjera do të mbahen çdo vit nëpër qytete të ndryshme të vendeve tona”. “Kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”, tha ai.